27 tetor 2015 – Menjëherë pas vizitës së kreut të PD-së Lulzim Basha në qytetin bregdetar, Osman Stafa kreu i PD-së së Durrësit ka dalë në një deklaratë për mediat, duke shpalosur kërkesat e opozitës drejtuar Këshillit Bashkiak të qytetit. Stafa e mbështeti deklaratën për shtyp në katër pika, një prej të cilave edhe analiza e zgjedhjeve të 21 qershorit. Përgjegjës për humbjen nuk është populli demokrat, ndërsa përgjegjësia mbeti anonime edhe këtë radhë.
Ulja e taksës së pronës në masën 30 %
“PD Durrës i paraqet sot bashkisë së Durrësit, kërkesën për uljen e taksës së pronës në masën 30% , për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët, që gjenden në situatë krize ekonomike. PD do vendosë veton në Këshillin Bashkiak deri në miratimin e kërkesës”.
Zgjedhja e kryepleqësive nëpër fshatra
“Sot nuk po zgjidhen kryepleqtë por në kundërshtim me ligjin ata po emërohen. E njëjta situatë është në Ishëm, Manëz, Sukth, Katund i Ri etj. Janë nipat e bllokmenëve që po emërohen nga zyrat dhe shtabet e PS-së në këto zona. Shpresoj që të mos bëhet pjesë kreu i Këshillit Bashkaik dhe prefekti në të tilla lojëra”, tha më tej Stafa.
Ulja e taksave të biznesit të vogël
“Do t’i kërkojmë këshillit bashkiak uljen e taksave të biznesit të vogël, sepse Durrësi po përballet me eksod të qytetarëve. Biznesi i vogël në Durrës po përballet me tarifa e taksa që rëndojnë biznesin e vogël, dhe janë të papërballueshme për ta”
Analiza e zgjedhjeve të 21 qershorit
Si kreu i PD-së së Durrësit Stafa Komentoi analizën e zgjedhjeve duke lënë anonimë përgjegjësit e humbjes drastike të PD-së.
“Unë siguroj bazën se PD sot është unike. Baza ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer.
Përgjegjësitë nuk kërkohen tek baza por tek personat përgjegjës që janë sipas hierarkisë. Mbetet për t’u parë si mund të ketë çeduar struktura përballë dhunës dhe presionit qeveritar”, tha Stafa.
/K.H. portali DurresLajm/