13 tetor 2015 – Punonjësit politikë të ministrive marrin rroga më të larta se vetë presidenti apo kryeministri i vendit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një kontroll dhe ka zbuluar pagesat marramendëse që dalin nga buxheti i shtetit dhe shkojnë për këta funksionarë me anë të bordeve shtetërore apo Këshillave Mbikëqyrës.
Kush janë ata që paguhen me këto shuma marramendëse?
Rezultoi një numër i konsiderueshëm punonjësish kryesisht të nivele të larta menaxheriale (Drejtorë Kabineti të Ministrave, Këshilltarë, Sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë të Përgjithshëm, zëvendësministra, Drejtorë të Drejtorive etj) të angazhuar në kohë të pjesshme në cilësinë e kryetarëve/anëtarëve në borde, komisione, këshilla dhe organe të tjera kolegjiale.
Kjo kategori punonjësish, përveç pagës në ushtrim të funksioneve te tyre organike, përfiton të ardhura të tjera nga angazhimi në këto struktura kolegjiale, që shkojne nga 2-4 struktura apo edhe më shumë për çdo punonjës, si dhe në disa raste edhe në struktura të sektorit privat, duke përfituar fonde të konsiderueshme në trajtën e shpërblimeve, thotë KLSH-ja.
KLSH ka konstatuar se në aspektin e performancës në punë dhe kontributit të këtyre punonjësve është realisht e pamundur si kohë fizike dhe jo vetëm kaq, angazhimi njëherazi si në institucionet ku janë të punësuar, ashtu edhe kontributi real në përbërje të bordeve, komisioneve, këshillave apo organeve të tjera kolegjiale. Impakti në këto raste është një pjesëmarrje formale, jo funksionale, jo kontribuese, pa efektivitet dhe i vetmi përfitim janë shpërblimet e konsiderueshme monetare vetjake, me pasojë abuzimin me fondet publike.
Por, veç pagave të konsiderueshme, rezulton se këta punonjës nuk kanë marrë pjesë ose kanë marrë pjesë në një numër minimal mbledhjesh, duke sjellë për pasojë absurditete të tilla të pagesave kundrejt mungesës së kontributit, dhe shpërblime për punë që nuk është kryer nga përfituesi, me impakt të drejtpërdrejtë abuzim të fondeve publike.
‘Nga auditimi u konstatuan raste të përfitimit të shpërblimeve të ekzagjeruara për pjesëmarrje në këshillat e bordet, të cilat shkojnë nga 60.000 -162.000 lekë/për mbledhje, në disa raste edhe duke mos marrë pjesë në mbledhje!”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.
Pas konstatimit të përfitimeve nga fondet publike nga këta drejtues politikë të administratës, KLSH kërkon reduktim të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës .
/portali DurresLajm/