Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Balluku njoftuan sot se kompania fituese që do të ndërtojë aeroportin është shpallur  bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%).

Firma e Pacollit është Mabetex Group, i cili ka edhe 50% të aksioneve. Vlera e investimit është 103.966.030 Euro.  Ministrja e Infrastrukturës, tha se ky aeroport do të jetë shtëpia e “Air Albania”.

“Do të jetë shtëpia e Air Albania, do ketë industri të re të mirëmbajtjes së avionëve, do jetë një sektor i ri brenda industrisë së avionit, fakti që me negociimin e kontratës sa i përket aeroportit të Ramës”– tha Balluku duke  njoftuar se brenda pak javësh do të hapet aeroporti i Kukësit.

Ndërkohë kryeministri Rama tha se për të arritur deri këtu u desh të kalonin vështirësi, por është i lumtur që ky aeroport do të mbajë një firmë shqiptare.

“Sot ne kemi fituesin dhe jam shumë i lumtur që baza e këtij  konsorcumi është një kompani e famshme, me vepra fantastike, një kompani që ka flamurin shqiptar, kompania e Behgjet Pacollit. Jam i lumtur që Behgjet Pacolli ka më në fund mundësinë të investojë dhe të bëjë diçka për Shqipërinë.

Më vjen mirë se duke pasur një kompani shqiptare, një partner si Behgjet Pacolli   kemi mundësinë ta vëmë para përgjegjësisë së madhe dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja.

Jam i lumtur që tani nuk ka më pengesa nga ato që dimë dhe ato që duken. Sot mund të themi me plot gojën që asgjë nuk na pengon të firmosim kontratën brenda periudhës 30 ditore,” u shpreh kryeministri Rama.