13shtator 2015 – E quajnë me krenari “Derbi i Madoninës” megjithatë këtë sezon sfida që në Milano është përjetësuar me Statujën e Virgjëreshës Mari, në Katedralen e Duomos pa e tepruar aspak mund të konsiderohet si “Derbi i Frikës”. Arsyeja është e thjeshtë sepse për shkak të rrethanave fati i këtij derbi mund të vendosë si ndoshta kurrë më parë fatin e njërit apo tjetrit trajner. Amfiteatri do të jetë po ai, Stadiumi Giuseppe Meazza, ku praktikisht që të dy ekipet luajnë ndeshjet në shtëpi, megjithatë privilegjin për të patur mbështetjen në masë të tifozëve këtë herë do ta ketë skuadra e Interit.
Derbi i Milanos në vetvete mbart shumë histori por gabimet në merkato, përzgjedhja e futbollistëve apo strategjitë e këtyre dy klubeve bënë që prestigji i këtij derbi të bjerë ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Tashmë është koha që gjithcka të kthehet si më parë dhe Derbi i Kryeqendrës Lombarde të fitojë lavdinë dhe krenarinë e dikurshme, por natyrisht rreziku që i kanoset këtë radhë këtij dueli të zjarrtë është frika për të mos dështuar në objektivin e parë të sezonit. Një gjë e tillë sigurisht nuk figuron asgjëkundi e shkruar, sidoqoftë jo vetëm trajnerët por gjithashtu edhe vetë futbollistët janë të vetëdijshëm që një pjesë e madhe e sezonit mund të vendoset pikërisht nga ky takim. Nga mesi i muajit korrik e këtej, pra në gati dy muaj kohë situata për këto dy skuadra është paraqitur e ndryshme. Mes zërave të merkatos, shpotive të shumta për afrimet apo edhe largimet e shumë futbollistëve, gjërat në pamje të parë u duk se po shkonin mirë për klubin kuqezi që siguroi dy fitore gjatë fazës përgatitore, fillimisht në Kinë dhe më pas në atdhe, ndonëse për këtë të fundit bëhet fjalë për një takim miqësor vetëm 45′ për Trofeun TIM. Vazhdimi megjithatë tregoi të kundërtën dhe ekipi zikaltër pavarësisht se konsiderohej në krizë siguroi dy fitore në dy ndeshjet e para të kampionatit. Vlen të theksohet fakti që trajneri Roberto Mancini ka patur më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur skuadrën, pasi e drejton këtë ekip që nga 14 nëntori i vitit të kaluar gjithsesi faktet janë kokëfortë dhe skuadra ka nevojë për më tepër kohë që të kolaudohet.
Dy fitoret e zikaltërve kanë ardhur në fund, në takime me kundërshtarë të lehtë në letër, ndaj Atalantës që e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë apo Carpit debutues, ku bie në sy menjëherë fakti që të gjithë golat i ka shënuar një emër i vetëm, Stevan Jovetic. Dy trajnerët Roberto Mancini dhe Sinisa Mihajlovic i lidh një miqësi e fortë prej plot dy dekadash megjithatë për momentin më në vështirësi duket 46-vjecari nga Vukovari që pasi u mund në Firenze siguroi me shumë fat fitoren e parë në kampionat, pikërisht në San Siro ndaj Empolit. Natyrisht që Mancini ka shumë më tepër eksperiencë si trajner në këtë derbi dhe për këtë ndeshje deklaroi se favorite është skuadra kuqezi. Barazimi për të nuk do të ishte një rezultat i keq duke patur parasysh klasifikimin dhe kurioz është fakti që edhe vjet në ndeshjen e tij të parë pas rikthimit, që përkoi pikërisht me “Derbin e Madoninës” 50-vjecari siguroi një barazim 1-1. Mancini pritet të rreshtojë treshen Kondogbia – Melo – Guarin në mesin e fushës duke i besuar përpara trios Jovetic – Icardi – Perisic, ndërkaq Mihajlovic që është trajneri i nëntë në historinë e këtij derbi që ka luajtur me njërën skuadër dhe në fakt drejton ekipin tjetër do të mbështetet në mesin e fushës te emra të tillë si Kucka – Montolivo – Poli, ndërsa në sulm te treshja Bonaventura – Bacca – Luiz Adriano. Dy takimet e fundit në kampionat janë mbyllur në barazim, ndërkaq sa për statistikë Milani nuk fiton si skuadër udhëtuese në derbi prej pesë vjetësh, kur fatin e këtij dueli e vendoste nga pika e bardhë me një gol të vetëm Zlatan Ibrahimovic.
/portali DurresLajm/