12 shtator 2015 – Cristiano Ronaldo i vetëm mjaftoi që Reali i Madridit të fitonte me një rezultat tenistik në javën e 3-të të Primera Divizion. Ylli portugez, që nuk kishte shënuar në dy javët e para të kampionatit, shënoi pesë herë në portën e Espanjolit duke thyer jo vetëm “shterpësinë” e tij përpara portës por gjithashtu dhe rekordin e Raul Gonzalez, pasi preku kuotën e 231 realizimeve me camiseta blanca në kampionat.
Në fakt, sfida e “Cornelia El Prat” ishte e tëra një histori e shkruar nga portugezi, që brenda 20 minutave shënoi 3 herë duke barazuar dhe rekordin e Pepillos, në vitet 60-të për tregolëshin më të shpejtë në La Liga.
Pasi shënoi me një asist të Modric, Ronaldo dyfishoi nga pika e bardhë në të 17-tën, përpara se në të 20-ën të dërgonte me forcë topin në rrjetë duke zyrtarizuar dhe parakalimin e Raulit për numrin e golave të shënuar me Realin në La Liga. Në të 28-tën, Ronaldo tregoi se di dhe të dhurojë asist teksa i shërbeu Benzemas golin e 4-t, për të vazhduar në pjesën e dytë shfaqjen e tij personale, kur në të 61-tën shënoi dhe golin e 5-të.
Gjithsesi një tjetër rekord, Ronaldo e barazoi me golin e 6-të, kur u bë futbollisti i tretë në historinë e La Ligas, që shënon 5 gola në një ndeshje në transfertë, pas Merodios së Bilbaos në vitet 50-të dhe Peternac të Valladolid në vitet 90-të. Një ndeshje rekordeshh për portugezin, që me golat e shënuar në një ndeshje të vetme merr dhe kreun e golashënuesit më të mirë në Primera.
/portali DurresLajm/