Olympique Marseille u përpoq t’ia rrëmbejë mbrojtësin shqiptar klubit të Nantes. Prapaskena zbulohet nga Edvin Murati, ish-lojtari i përfaqësueses, tashmë në rolin e menaxherit të futbollistëve. Në një prenoncim për mediat franceze, Murati zbuloi se Marseille nisi kontaktet me Canën në datën 28 gusht, menjëherë pas humbjes 2-0 në kampionat me Guingamp. Presidenti i klubit, Vincent Labrune ishte i bindur se kishte nevojë për një përforcim në mbrojtje dhe i telefonoi disa herë Lorik Canës dhe menaxherit të tij.
Sipas menaxherit Edvin Murati “Marseille provoi të siguronte firmën e kuqeziut deri në ditën e fundit të merkatos, por kapiteni i Shqipërisë i kishte dhënë fjalën Nantes”. Edhe kur u informua për ekzistencën e një marrëveshjeje mes palëve, drejtuesi i klubit nga Vélodrome nuk u tërhoq.
Laburne nisi kontaktet me homologët e klubit të Ligue 1 për të prishur akordin.Për të siguruar shërbimet e Canës, Marseille i ofroi një lojtar në këmbim Nantes. Por, presidenti Waldemar Kita refuzoi çdo lloj marrëveshje për futbollistin të cilin e ka zbuluar në fillimet e karrierës në Lozanë, duke i thënë me shaka se Cana e nisi dhe do ta mbyllë karrierën me të.
/portali DurresLajm/