11 shtator 2015 – Teuta e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon. Gjashtë pikë në dy ndeshjet e para, ndërsa nuk ka pësuar asnjë gol, duke realizuar tre të tillë. Autori i golit të parë në ndeshjen me Vllazninë, Erand Hoxha beson se “djemtë e detit” do të marrin rezultat pozitiv në “Zeqir Ymeri”, ndërsa parësore për ekipin qe drejtohet nga trajneri Gugash Magani është që të shmanget humbja. 

“Kemi zhvilluar dy ndeshje shumë të mira në këtë start sezoni të ri dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm. Në fundjavë na pret një ndeshje shumë e vështirë, siç është ajo me Kukësin, por nëse japim maksimumin dhe zbatojmë me përpikmëri detyrat e teknikut Magani, jam i sigurt se do të dalim me fitore. Kukësi vjen pas humbjes me Skënderbeun, ndaj është shumë i motivuar për të marrë rezultat pozitiv, por edhe ne, nga ana tjetër, jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, ku kemi vetëm një qëllim, fitoren”, tha 30-vjeçari.

I pyetur nëse do të kënaqej edhe me barazimin, mbrojtësi Hoxha shprehet: “E dimë që në Kukës do të jetë shumë e vështirë, pasi luajmë përballë publikut kundërshtar. Ne do të luajmë për fitore, por edhe barazim do të ishte një rezultat i kënaqshëm. Ekipi është përgatitur shumë gjatë kësaj jave, jemi stërvitur dy herë në ditë për të pasur një formë të mirë fizike. Gjithashtu, kemi zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Partizanin. Pavarësisht humbjes 3-2 në këtë takim testues, ne kemi luajtur mjaft mirë, ndonëse grupi nuk ishte i kompletuar. Ekipi tregoi forcë dhe karakter, duke shënuar dy gola ndaj një kundërshtari që është pretendent për titull”, përfundoi Hoxha.

1 gol ka shënuar Erand Hoxha në këtë sezon me fanellën e Teutës. Mbrojtësi me eksperiencë realizoi golin e parë në takimin që durrsakët fituan 2-0 në javën e dytë të Superligës ndaj Vllaznisë.

/portali DurresLajm/