7 shtator 2015 – Në disa portale online u botua kjo gjobë, që disa tatimorë i vunë lokali “Il Paese” në pronësi të bashkëshortes se deputetit socialist, Dashamir Peza. Gjoba është për mungesë të kasës fiskale. Lajmi u botua si shembull për të treguar se në këtë aksion qeveria nuk është selektive, siç janë shprehur edhe përfaqësues vendas e të huaj të biznesit.

Por gjoba nxori një skandal më të madh përveç faktit se një ndër evazionistët fiskalë për vite me radhë është deputet i PS-së. Lokali në fjalë është hapur prej disa vitesh dhe është një ndër më të frekuentuarit në Tiranë. Gjoba që i është vënë lokalit të deputetit që gjendet në Pezë është në vlerën e 50 mijë lekëve.

Por skandali nuk qëndron vetëm te fakti se biznesi i deputetit socialist nuk ka lëshuar ndonjëherë faturë tatimore as në qeverinë Berisha e as në dy vitet e qeverisë Rama. Gjoba dëshmon edhe faktin se lokali i deputetit është i regjistruar si biznes i vogël, duke i shmangur sërish taksat. Në këtë vlerë e paguan gjobën kjo kategori biznesi kur i mungon kasa fiskale.

Biznesi i madh paguan nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë të rinj kur kapet pa kasë.

Si biznes i vogël duhet që ky lokal, një ndër më luksozët në Tiranë, të bëjë një xhiro prej afro 20 mijë lekësh të rinj në ditë.

Në të vërtetë, në “Il Paese” një xhiro të tillë e bën një tavolinë e vetme.E tregon këtë fakt edhe fatura e një aktivisti të shoqërisë civile që denoncoi evazionin fiskal, denoncim ky që sipas disa mediave të rreshtuara së fundi pranë qeverisë, u bë shkak që tatimorët të ushtronin kontroll në restorantin e deputetit të mazhorancës dhe mikut të ngushtë të kryeministrit Edi Rama.

Endri Shabani thotë se kishte paguar 11 mijë lekë të reja për një darkë dhe nuk kishte marrë faturë tatimore. Ai shprehet se në lokal gjendeshin rreth 500 klientë, përfshirë edhe vetë depuetin e PS-së dhe shumë funksionarë të tjerë publikë.

Nuk dihet se sa ka paguar secila prej këtyre tavolinave, por llogaria mund të jetë fare e thjeshtë kur sheh se vetëm patatet e skuqura kushtojnë 250 lekë dhe uji i vendit 200 lekë.

Pavarësisht këtyre fakteve, që tatimorët e zellshëm për të reaguar ndaj denoncimeve të qytetarëve i konstatojnë më lehtësisht se qytetarët e thjeshtë, ata nuk kanë marrë asnjë masë tjetër, siç do të duhej në raste të tilla. Regjistrimi i një biznesi të madh si biznes i vogël është mashtrim i pastër për të shmangur taksat. Ligji parashikon masa të tjera.

Tani, kryeministrit Rama, që ka kërcënuar publikisht tatimorët se do të përfundojnë pas hekurave nëse tolerojnë evazionin, i duhet t’u kërkojë llogari ligjore këtyre tatimorëve dhe vetë deputetit të tij. Përndryshe do t’i mbetet të falënderojë qytetarët që rrihen se refuzojnë të paguajnë kafenë pa faturë tatimore, siç bëri në një rast, pas arrestimit të kamerierit që e dhunoi klientin që s’i dha paratë.

/Marrë nga Lapsi.al