6 shtator 2015 – Sulmi i Portugalisë, i udhëhequr nga Cristiano Ronaldo është pjesa të cilës Shqipëria i trembet më së shumti. De Biasi me stafin e tij po punojnë të marrin të gjitha masat, për të mbyllur sa më mirë hapësirat në fushë. Megjithatë, kuqezinjtë duhet të kenë kujdes edhe nga goditjet standarde.
Luzitanët kanë elementë fenomenalë, që episode të tilla mund t’i kthejnë në favorin e tyre. Konfirmimi vjen nga videoja e publikuar nga vetë Federata Portugeze, ku tre yjet e ekipit, Cristiano Ronaldo, Nani dhe Ricardo Quaresma zhvillojnë një sfidë nga topa jo-aktivë. Ekzekutimet janë mbresëlënëse dhe nga specialistë si ata spektakli është i garantuar.
Në pjesën më të madhe të rasteve, portierët ishin të dorëzuar. Me stilin e tij, secili prej tre yjeve portugezë e dërgon topin atje ku gardiani nuk mund të bëjë më asgjë. Një paralajmërim i vlefshëm për Shqipërinë, që duhet të ketë kujdes të mos shkaktojë goditje dënimi pranë zonës të hënën në Elbasan Arena.
/portali DurresLajm/