6 shtator 2015 – Mesfushori fantazist Meglid Mihani është lojtari më me përvojë në skuadrën e Teutës së re të Maganit, i cili duket se ka rigjetur formën e tij më të mirë sportive.Veçanërisht pas atij goli të bukur në fitores 1-0 ndaj Flamurtarit në javën e parë të kampionatit, në Durrës për kavajasin po flitet gjithnjë e më shumë si protagonist.
“Realisht më vjen mirë kur dëgjoj të flitet për protagonizmin tim tek Teuta. Momentalisht gëzoj një formë të mirë sportive dhe më e rëndësishmja është që ajo po shkon në funksion të ekipit”. Mesfushori Mihani, në vlerësimin që i bën “djemve të detit”, shprehet se skuadra durrsake i ka potencialet e nevojshme për të qenë pjesëmarrëse në kupat e Europës sezonin e ardhshëm.
“Teuta ka potencial dhe mund të shkojë larg. Besoj se në Kupën e Shqipërisë mund të ecim mirë, dhe pse jo të mos e fitojmë këtë trofe. Ndërsa në kampionat, duke parë potencialin e eikpit, mund të synojmë të dalim në Kupat e Europës”.
Gjithsesi, mesfushori me përvojë Mihani kërkon përqëndrim dhe kujdes për çdo ndeshje, pasi Teuta duhet t’u shmanget hapave falsë, që mund ta dëmtojnë shumë në arritjen e objektiva të saj. Sipas mesfushorit kavajas, ndeshja e radhës ndaj skuadrës së Kukësit, do të jetë një test real i forcës së Teutës në kampionat, ku durrsakët do të bëjnë gjithçka për ta kaluar me sukses.
/portali DurresLajm/