6 shtator 2015 – Një ditë para zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur për kualifikueset e “Euro 2016”-s, Shqipëri-Portugali, Policia e Qarkut të Elbasanit ka bërë të ditura masat organizative sa i përket sigurisë, rendit dhe qetësisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes me “luzitanët”, që do të luhet më 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, kur bën të ditur bllokimin e disa akseve rrugore si dhe ndalimqarkullimin e mjeteve në shëtitoren nga stadiumi deri te “1 Maji”, nga bashkia deri në dalje të Unazës, në sheshin përpara Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”, nga rrethrrotullimi i luleve deri tek ai i Zaranikës, përpara stadiumit apo edhe bulevardi kryesor deri në stadium.
Sa u përket sportdashësve, hyrja e tyre në stadium do të nisë që 2 orë përpara ndeshjes në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, por edhe për shkak se këtë herë do të jetë një risi në pajisjen e tifozëve me bileta elektronike, të cilat i kanë prenotuar përmes sistemit online dhe jo nga shitja nëpër sportele. Për herë të parë në Shqipëri, në një ndeshje ndërkombëtare, tifozët e futur në stadium do të jetë të identifikuar falë kësaj risie.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë të ditur gjithashtu se do të angazhojë 811 punonjës policie, ndër të cilët përveç 261 punonjësve nga Elbasani, do të ketë edhe 550 punonjës nga disa drejtori policie nëpër qarqe, si dhe 32 automjete. Në stadium nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë, ndërkohë që sportdashësve u kërkohet që të mos mbajnë me vete sende të forta, si shishe plastike apo fishekzjarre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të futen. Gjithashtu, nga ora 12 e mesditës e deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të jenë të mbyllura.
/portali DurresLajm/