5 shtator 2015 – Shumica e drejtorëve të departamenteve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, me në krye sekretarin e përgjithshëm të kësaj Ministrie, Gani Shabani, po qëndrojnë në hotelin “Majestic”, në Shkëmbin e Kavajës, njofton e përditshmja “Zëri” e Prishtinës. Gjithsej janë njëmbëdhjetë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, kryesisht drejtorë të departamenteve që kanë shkuar pikërisht buzë plazhit, pasi ata si pjesë të dy grupeve të punës dhe një komisioni, nuk kanë mundur të gjejnë një vend në Kosovë për të punuar në hartimin e disa akteve nënligjore dhe udhëzimeve administrative.
Sipas disa fotografive, të siguruara nga gazeta “Zëri”, shihet një pjesë e këtij stafi me veshje sportive, madje edhe me pantallona të shkurtër, që qëndrojnë rreth një monitori në hapësirat e hotelit, buzë plazhit në Shkëmbin e Kavajës.
/portali DurresLajm/