·       Via Egantia do të transformohet në një arterie të jashtëzakonshme turistike

3 shtator 2015 –  “Del nga ferrat dhe pluhuri i harresës Via Egnatia, një nga 10 rrugët antike të cilësuara si më të rëndësishmet në botë, e cila lidhte Perëndimin me Orientin përmes Durrësit e Konstandinopojës”, Kryeministrit shqiptar Edi Rama i ka tërhequr vëmendjen udhëtimi i parë i 25 studentëve e profesorëve të Universitetit italian të Venecias për të bërë udhëtimin përmes rrugës antike Egnatia nga 18 gushti deri më 31 gusht 2015 në itinerarin Durrës-Manastir (Maqedoni). Grupi udhëtoi më këmbë në  Via Egnatia  së bashku me një ekip specialistësh shqiptarë. Udhëtimi i paraprin një projekti ambicioz për shndërrimin e kësaj rruge të vjetër, në një produkt të mirëfilltë turistik.

Kryeministri Rama ka hedhur në llogarinë e tij në FB statusin, të shoqëruar me 42 fotografi, duke shkruar:

“Del nga ferrat dhe pluhuri i harresës Via Egnatia, një nga 10 rrugët antike të cilësuara si më të rëndësishmet në botë, e cila lidhte Perëndimin me Orientin përmes Durrësit e Konstandinopojës. Duke ndjekur modelet evropiane të itinerareve historike si Via Frangigena apo itineraret e Santiago de Compostela, Via Egantia do të transformohet në një arterie të jashtëzakonshme turistike me një impakt të madh në ekonominë dhe mirëqenien e zonave rurale të cilat i përshkon. Këto foto sjellin pamje nga turi i parë njohës i studentëve dhe profesorëve të Universitetit të Venecias me këtë trashëgimi të çmuar tonën”.

/th. m. portali DurresLajm/