Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot si një prej kandidateve për deputete që do të garojnë për zgjedhjet e 25 prillit, Najada Çomon, shefen e Infektivit.
Gjatë prezantimit të programit “Shëndetësia që duam”, Rama teksa nisi të fliste për Çomon, e cilësoi atë “komandante” e luftës kundër COVID-19.
“Kush më mirë se komandatja e zjarrit të vijë me ne, jo për t’u bërë deputetja e radhës por për të qenë aty sa herë që duhet që zëri i brendshëm të flasë”, tha ai.
Gjatë fjalës së saj, shefja e Infektivit, Najada Çomo bëri një bilanc të punës brenda spitalit COVID1, ku tha se bëhet një punë e madhe nga i gjithë stafi, ndërsa shtoi se aty ka dhe lot.
“Është një vit pandemie, brenda atyre spitaleve është punë e paimagjinueshme. Atë punë e dimë vetëm ne brenda dhe pacientëve. Çdo person brenda atij spitali jep mundi e tyre, sakrificën dhe ofrojnë përkushtim. Është hera e parë e kësaj pandemie dhe që ndjekim pacientë pa hyrë askush brenda, Në këtë herë të parë ata njerëz që janë brenda iu mungon familja. Kjo është diçka e rëndë për ta. Dua t’i sigurojë ata njerëz që na ndjekin, por ne për ata nuk kemi qenë vetëm doktorë dhe shërbyes, por pjesë e madhe e familjes së tyre. Puna, përkushtimi që ofrojnë ata njerëz që janë brenda, është e jashtëzakonshme. Ne jetojmë, punojmë dhe ‘vuajmë’ me ta. Tek ne do të gjeni shumë lot që askush nga jashtë nuk i ka parë asnjëherë. Lotët janë për dhimbjen, vuajtjet e atyre njerëzve. Koha më vonë do e tregojë se sa shumë vite pune kemi investuar ne brenda atij spitali. Aty nuk punohet me orare. Ka nisur puna në 8 mars, dhe do të mbarojë puna kur të mbarojë rasti i fundit. Shpesh pyes veten se mirë unë që e kam për detyrë që drejtojë atë institucion, po ata djem dhe vajza që kanë ardhur. Sot jemi shtuar si staf dhe vazhdojmë të shtohemi me staf infemieror. Ju siguroj që është e vështirë që të punosh me ta, por në punën tënde ke kënaqësi profesionale, mesazhe pa fund për familjarët. Në 99% të punës tonë ne gëzojmë mirënjohjen e popullit. Ka edhe njerëz që bëjnë komente negative, ka dhe staf mjekësor që nuk është në nivelin e duhur për t’iu shpërbyer njerëzve. Por koha e tregoi dhe ata dolën mbi ujë. Drejtësia e tregoi. Ne që punojmë pranë këtyre pacientëve kemi përgjegjësi, emocione dhe frikë herë pas here. Frika është larguar me arsyen e thjeshtë pasi kemi pasur veshjet e mbrojtjes personale dhe askush në spitalet COVID s’ka punuar pa ato. Veshja është mburojë e madhe.”, tha Como.





