· Sukth: Ina Xhakoni
· Rrashbull: Pranvera Guma Gagani
· Katundi i Ri: Dalina Buçaj
· Manzë: Klara Agasi
· Ishëm: Shpëtim Çiku
30 gusht 2015 – Zgjidhen 4 femra dhe një burrë për të marrë në dorëzim drejtimin e tri komunave dhe dy ish-bashkive në zonën rurale të Durrësit, që me reformën territoriale quhen njësi administrative të bashkisë së madhe të Durrësi.
Portali “durreslajm.com” mësoi nga burime zyrtare në bashkinë e Durrësit se 5 punonjës të administratës aktuale të bashkisë po realizojnë kalimin e kompetencave të ish-komunave dhe bashkive, teksa kanë marrë në dorëzim të gjithë dokumentacionin për funksionimin normal të pushtetit vendor, pavarësisht ndryshimit të ndodhur. Është një punë e vështirë dhe këtë barrë kryetari i bashkisë së Durrësit, i mandatuar për herë të tretë, Vangjush Dako, ua ka ngarkuar 5 specialistëve më të mirë të tij.
Bie në sy fakti që Dako ka zgjedhur katër femra administratore. Kështu, në ish-bashkinë Sukth është Ina Xhakoni, në ish-komunën Rrashbull, Pranvera Guma Gagani, në ish-komunën Katund të Ri, Dalina Buçaj dhe në ish-bashkinë Manzë, Klara Agasi. Kurse në ish-komunën Ishëm është emëruar Shpëtim Çiku. Dako i tha “durreslajm.com”-it se për atë, si kryebashkiak, administratorët e zonës rurale janë emrat e mësipërm. Nuk ka “ad-interim”.
Megjithatë Dako nuk e përjashtoi mundësinë për ndonjë lëvizje pas konsultimeve me partitë e koalicionit, që e nxorën atë fitues. Por kjo i takon një faze tjetër, ndoshta pas janarit të vitit 2016. Tani synimi është stabilizimi i ndryshimeve dhe shërbimi ndaj komuniteteve ku ata janë administratorë.
/th. m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/