29 gusht 2015 – Më në fund ka përfunduar faza e sulmeve episodike dhe gazeta e majtë “Dita” ka nxjerrë artilerinë e rëndë kundrejt ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Pra nuk janë më lajmet për hotelin e shtrenjtë ku ka pushuar në Korfuz, ato për pilotin e helikopterit gjerman që është ndaluar në Dhërmi, apo ato për policët që përdor si postierë. Sot në një analizë dy faqe të gjatë, “Dita” ka kërkuar as më pak dhe as më shumë largimin e tij nga posti.

“Me sa duket pesha e Ministrisë së Brendshme është më e madhe sesa hallet që mund të mbajnë shpatullat e ngushta të zotit Tahiri”, konkludonte sot analiza e gazetës. Përgjatë saj vihen re disa detaje interesante.

Së pari, në faqe të parë Tahiri është paraqitur sikur vadit një vazo me hashash (foto). Nënteksti është i qartë. Madje ai del edhe në formën e pyetjeve retorike në shkrim: “Pse hashashi u përhap gjithandej në very dhe në jug? Pse policia nuk e ka territorrin nën kontroll? Pse është shndërruar Tepelena në mbretëri të kanabisit? Pse aksioni në Lazarat nuk shërbeu si shembull”, jana disa nga pyetjet që nge gazeta.

Së dyti, gjuha që përdor gazeta e majta është e ngjashme me gjuhën që përdor Berisha dhe PD-ja. Ajo tallet me “shprehjet e trendit halabak: “Bravo cuna” “Bravo Goca”, ajo ironizon me ministrin që e merr veten për Xhovani Falkone, ajo e quan policinë një të sëmurë të madh dhe e akuzon ministrin për personalizim të punës.

Së treti, ajo që bie në sy si në rastin e talljes me shprehjen “bravo cuna”, ashtu edhe me kritikat më serioze sipas të cilave në polici nuk janë bërë reforma por vetëm arrnime, që drejtuesit e saj përdorin të njëjtat metoda si ata të 23 qershorit, që shefat e policisë visheshin në 3 të mëngjesit me uniforma të reja për t’u përdorur si sfond politik,- pra ajo që të tërheq vëmendjen,- në këto kritika, është fakti se ato janë artikuluar shumë kohë më parë nga kundërshtarët e Tahirit. Atëherë pyetja që lind është e thjeshtë: përse po e sulmon “Dita” Tahirin?

Një burim i afërt me ministrin e Brendshëm, shkruan portali “Lapsi.al”, thotë se shkak janë mosmarëveshjet e pronarëve të gazetës me numrin një të rendit. Sipas tij ato kulmuan me ndalimin e helikopterit që fluturonte mbi vilën e Ramës në Dhërmi dhe që u përkiste pikërisht atyre. Po a mund të jetë një episod kaq banal, shkak për një fushatë kaq të fortë? Kjo mbetet të shikohet. Ajo që është e sigurt është se tentativa e kryeministrit Rama për të mbyllur në paqe marrëdhënien me gazetën, të cilës i “dhuroi” një intervistë të gjatë ekskluzive, menjëherë pas fillimit të sulmit ndaj Tahirit, nuk rezultoi e suksesshme. “Dita” e rriti dozën e sulmeve. E përditshmja e majtë po e sulmon ministrin e qeverisë që mbron me artilerinë e argumenteve të Berishës dhe me sa duket lufta do të jetë e gjatë. Jo vetëm për helikopterin e Sevasterit.  

Marrë nga Lapsi.al

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/