27 gusht 2015 – Në prag të analizave të shtatorit për humbjen e zgjedhjeve vendore, kryetari i degës së PD-së Durrës, Osman Stafa ka thirrur mediet për të denoncuar ndotjen e mjedisit. Rrethrrotullimi, që lidh autostradën Tiranë-Durrës me fshatin e Shinavlashit, kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), Spitallën, është kthyer në një vend grumbullim mbetjesh urbane.
Osman Stafa e ka cilësuar këtë si masakër mjedisore, që dëmton imazhin e një investimi miliona eurosh, i cili ka filluar qysh në vitin 2009, por ende nuk ka përfunduar. Kryedemokrati i Durrësit Osman Stafa deklaroi ndër të tjera:
“I bëj thirrje kryeministrit të mos harxhojë energjitë, forcat dhe burimet njerëzore për të prishur objektet e kultit, por këto energji t’i harxhojë për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Dua të informoj opinionin publik dhe qytetarët durrsakë që Partia Demokratike brenda muajit shtator bashkë me grupin e këshilltarëve me grupin e ekspertëve do të dalë me një propozim konkret për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë problematikë dhe këtë krim që kryhet ndaj qytetarëve të Durrësit”.
Stafa paralajmëroi, si në shumë raste të tjera, se do t’i drejtohet prokurorisë për të denoncuar krimin mjedisor që po ndodh në këtë zonë.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/