25gusht 2015 – Sporti britanik është në zi. Piloti i garave me makina Indy Justin Wilson u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të Marte pas aksidentit të rëndë që pësoi 24 orë më parë në Pennsylvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Wilson i cili qëndroi në koma për një ditë nuk arriti ti mbijetonte dot incidentit të rëndë që pësoi në garën e Poconos e vlefshme për kampionatin e Indy Car. 37-vjecari anglez i cili kishte një të shkuar edhe në sportin e Formula 1 teksa në vitin 2003 ishte pjesë e skuadrave Sauber dhe Minardi, u godit në kaskën mbrojtëse nga një copë që u shkëput nga makina e Sage Karam i cili përfundoi në murin mbrojtës të pistës kur ndodhej pak metra përpara tij.

Goditja e marrë në kokë nga Justin Wilson ishte aq e fortë saqë piloti anglez pasi u shtrua ne Lehigh Valley Health Network hyri në gjëndje kome. Wilson nuk arriti tu shpëtonte dot plagëve të marra dhe 24 orë më pas u nda nga jeta. As ndërhyrja e helikopterit që e dërgoi me urgjencë në spital nuk arriti të shpëtonte dot pilotin 37-vjecar. Menjëherë pas ndarjes nga jeta të Justin Wilson familja e pilotit anglez doli me një komunikatë ku falenderoi të gjithë ata që i mbështetën në këto momente të vështira, ndërsa theksoi se mjekët e spitalit ku qëndroi i shtruar Wilson bënë gjithcka për ta rikthyer në jetë por nuk ia dolën dot.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/