25gusht 2015 – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, propozoi sot për shtetin gjerman që të mos u paguajë asnjë lloj ndihme sociale azilkërkuesve shqiptarë që kanë shkuar dhe po qëndrojnë ende atje. Pas disa muajsh nga fenomeni i ikjes masive nga qytete të ndryshme të vendit për të kërkuar azil ekonomik, ministri Tahiri doli sot në një deklaratë për shtyp.

“Ne jemi tërësisht të përgatitur për të parandaluar dhe frenuar fenomenin e azilkërkimit. Si pasojë e kërkesave rigoroze për respektimin e rregullave të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, është rritur ndjeshëm numri i personave që u është refuzuar dalja nga vendi ynë për shkak se nuk kanë plotësuar kërkesat e BE-së lidhur me lëvizjen e lirë në zonën Shengen”, tha Tahiri.

Por, sipas tij, disa masa për të ndalur azilantët varen nga Gjermania. “I kam kërkuar homologut gjerman për shuarjen e të gjithë faktorëve shtues në vendet pritëse e veçanërisht në Gjermani, që kanë shërbyer e shërbejnë si motiv që shumë shtetas të udhëtojnë për të kërkuar azil, shtetas nga Shqipëria dhe shtetas nga vendet e rajonit, të cilët të nxitur nga këta faktorë në vendin pritës marrin iniciativën për të udhëtuar me synim gjetjen e azilit.

I kam kërkuar gjithashtu që të rishikohet mënyra, përmasa dhe lloji i ndihmës ditore sociale gjë që do të dekurajonte iniciativën për të kërkuar azil qoftë edhe për të përfituar për aq pak kohë ndihmë sociale për aq kohë sa azil kërkuesit rrinë e presin përgjigjen definitive të autoriteteve të shtetit pritës”, deklaroi ministri.

Si kreu i qeverisë Rama një ditë më parë, edhe Tahiri tha se, pjesa më e madhe e azilkërkuesve nuk janë nisur nga Shqipëria, por janë shqiptarë me banim në një vend të BE-së, që janë shpërngulur në Gjermani.

Duket se shkak për reagimin e Tahirit u bë deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha, që dënonte mazhorancën për moskrijimin e kushteve për shqiptarë në vend. Basha foli nga Kukësi, ku vizitoi familja e Ela Hazirajt, azilkërkueses që humbi jetën tragjikisht e shtypur nga treni.

Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka zënë vendin e dytë në Gjermani për nga numri i azilkërkuesve, pas Sirisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/