22gusht 2015 – Të drejtat televizive të kampionateve kryesorë të Europës janë duke arritur çmime stratosferike të papërballueshme për transmetuesit televizivë që me koston e tyre gjithnjë e më të lartë e kanë të pamundur të rikuperojnë investimin e bërë. Interesant është fakti se vende ku niveli i jetesës është ndër më të lartët në botë dhe që njihen publikisht për të ardhurat e larta, nuk mund të përballojnë çmimet e kampionateve Europiane. Për këtë arsye të apasionuarit e La Ligas dhe Serisë A në rajonin Nordik, ku përfshihen vende si Suedia, Danimarka apo Norvegjia, ndër më të pasurit e botës nuk do të kenë mundësinë për të ndjekur ndeshjet e para të sezonit 2015-2016 të futbollit italian dhe atij spanjoll këtë fundjavë, pasi agjensia që ka të drejtat televizive “MP&Silva” e ka patur të pamundur të arrijë një marrëveshje me transmetuesit televizivë.
Përfaqësuesit e saj deklaruan për agjensinë e lajmeve ” Sportcal”: “Nuk i kemi shitur të drejtat televizive pasi ofertat që kemi marrë ishin të ulëta, por ne po bëjmë maksimumin që të përshpejtojmë procesin“.Në ciklin e 3-vjeçarit të fundit, në rajonin Nordik të drejtat televizive të La Ligas i kishte “C More”, një Platformë Pay per View e ngjashme me simotra si “Sky” apo “Digitalb”, e cila kontrollohet nga një grup televizionesh suedeze si dhe operatori telefonik norvegjez “Telenor”, në bazë të një marrëveshje që kishte kushtuar plot 12 milionë Euro për sezon. Kompania “MP&Silva” që disponon aktualisht të drejtat televizive mendohet se ka rritur çmimin, pasi kërkon të maksimalizojë fitimin me shitjet. Përfaqësuesit e saj deklaruan: “Nuk është e mundur të kesh një marrëveshje të lirë për të pronësuar të drejtat e eventeve si La Liga, dhe Seria A. Nëse transmetuesit televizivë synojnë një marrëveshje të lehtë nuk do ta gjejnë atë“.
Por vetë televizionet e mendojnë ndryshe. Frederik Lausen, Shefi i Redaksisë së Sportit në një televizion me buxhet të madh si Televizioni Publik në Danimarkë TV2 , bëri të ditur se pritshmëritë e agjensive që shesin të drejtat televizive nuk janë aspak realiste. Ai shtoi: “Të drejtat televizive të sportit po arrijnë vlera astronomike, ato janë ndër të paktat gjëra që nuk po e njohin krizën financiare, por transmetuesit televizë duhet të jenë të aftë për ta rikuperuar investimin kur blejnë këto të drejta“.Të tjerë shefa të televizioneve sportive përfshirë këtu Jes Holm Anderson, Drejtori Ekzekutiv i SBS/Discovery, grupit mediatik që kontrollon kanalet e Eurosport në Skandinavi dhe Kim Mikkelsen, shefi i kanalit TV3 të Platformës daneze Viasat, deklaruan gjithashtu se e kanë të pamundur për të gjetur një akord me “MP&Silva” me këto çmime kaq të larta. Kompania “MP&Silva” disponon të drejtat televizive të Serisë A në rang botëror, në bazë të një marrëveshje që mendohet se vlen mesatarisht 185 milionë Euro në sezon. Cmime të tilla po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për platformat televizive dhe kjo po shfaqet në ngërçin e krijuar me dy kampionate të mëdha si La Liga apo Seria A që nuk mund të shihen në Skandinavi. Për fatin e tyre abonentët e “Digitalb” e kanë të siguruar një poltronë në radhë të parë në arenat e La Ligas apo Serie A në shtëpinë e tyre nëpërmjet ekranit të Supersport që ka siguruar ekskluzivitetin e këtyre kampionateve duke bërë një sakrificë të madhe financiare për t’i ofruar shërbimin maksimal klientëve të tij.