22gusht 2015 – Edhe fati kundër Shqipërisë në Botërorin e Atletikës. Luiza Gega, e vetmja përfaqësuese e vendit tonë në “Pekin 2015″ i dha lamtumirën evenimentit më të rëndësishëm. Kampionia shqiptare u eliminua në garën e 1500 metrave, disiplina e vetme në të cilën konkurronte.
Paraqitja në kualifikuese ka qenë larg rekordit kombëtar të mbajtur nga Gega. Atletja kuqezi garoi në baterinë e tretë, më e vështira për nga emrat që konkurronin, duke nisur nga Dibaba e Etiopisë, Kipeyegon e Kenias, marokenia Arafi dhe holandezja Koster. Luiza Gega e nisi mjaft mirë konkurimin, duke kryesuar në 400 dhe 800 metrat e para. Por, kjo taktikë i kushtoi shtrenjtë për gjysmën e mbetur të garës, me 26-vjeçaren që humbi pozicione. Shqiptarja arriti e dhjeta, pozicion që përkthehet e parafundit në finish në baterinë e saj, me kohën 4 minuta, 9 sekonda e 36 të qindtat. Paraqitje, me të cilën u klasifikua e 21-ta nga 35 atlete në renditjen e përgjithshme.
Në gjysmëfinale kaluan 24 nga 35 atletet që konkurruan, por megjithë pozicionimin e lartë, Gega u eliminua. Sipas rregullores së aktivitetit, megjithë kohën më të mirë se disa rivalet, nga secila bateri mund të kualifikohen vetëm 6 të parat. Me kohën që regjistroi, Luiza Gega mund të ishte shpallur fituese e baterisë 2, por kjo nuk ndodhi. Kampionia kuqezi detyrohet të shohë si spektatore gjysmëfinalet e 1500 metra, edhe pse e nisi aventurën në Botërorin e Atletikës me objektivin të ishte mes finalisteve.
/agjencia e lajmeve "Dyrrahu"/