21gusht 2015 – Në prag të ndeshjes së javës së parë të kampionatit me Flamurtarit, te Teuta vazhdojnë lëvizjet. Klubi durrsak ka arritur dje një marrëveshje me portierin Andi Xhixha, i cili ka firmosur për dy vjet. Sezonin e fundit ai është aktivizuar me Burrelin në Kategorinë e Parë dhe bëhet fjalë për një rikthim, pasi “gardiani” i ri ka qenë edhe më parë pjesë e durrsakëve, konkretisht sezonet 2008-2010.

Me ardhjen e Xhixhës “blindohet” kështu sektori i portës, ku titullar mbetet kapiteni Rizvani.Me Teutën po stërvitet prej disa ditësh dhe mbrojtësi serb, Sllavko Lukiç. Në fakt, për këtë futbollist, i cili luan në qendër të mbrojtjes, u tha se do të bashkohej me Partizanin për sezonin e ri, por gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë ai po testohet nga trajneri Gugash Magani.

Ky i fundit do të marrë vendimin përfundimtar këto ditë, ndërkohë që më pas mbeten për t’u përcaktuar detajet financiare.Te Teuta janë bërë shumë lëvizje në grupin e lojtarëve, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Lëvizja më e rëndësishme është rikthimi i trajnerit Gugash Magani në stol, ndërsa objektivat janë për një kampionat shumë më kompetitiv se ai i vjetshmi. Durrsakët do të kërkojnë të zënë një vend në Kupat e Europës, kështu që objektivi është për një nisje sa më të mbarë të kampionatit. Ndeshja me Flamurtarin luhet në fushën asnjanëse të Fierit, kështu që shanset e Teutës për ta kaluar me sukses transfertën e parë të kampionatit janë vërtet reale.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/