19gusht 2015 – Prania e tifozëve shqiptarë në ndeshjen Danimarkë – Shqipëri, në sektorët ku duhet të akomodohen vetëm mbështetës vendas, ka alarmuar Federatën Daneze të Futbollit, që nëpërmjet shefit të zyrës së shtypit, Jakob Hoyer, ka paralajmëruar se në stadium nuk do të lejohet asnjë fans kuqezi jashtë sektorit të përcaktuar për tifozët miq. Për përballljen e 4 shtatorit, që do të zhvillohet në Telia Parken të Copenhagen, ka patur një interesim të jashtëzakonshëm nga të dyja tifozëritë,  aq shumë sa tifozët danezë kanë mbetur pa biletë. Për arsye sigurie, duke patur parasysh edhe rëndësinë që ka kjo ndeshje për të dyja skuadrat, Hoyer deklaron se tifozët shqiptare edhe pse të pajisur me biletë, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.“Për tifozët miq, kemi caktuar një sektor të vecantë, madje u kemi vënë në dispozicion një numër më të madh biletash sesa e parashikon rregullorja. Sigurisht që është bukur kur krijohet një atmosferë e jashtëzakonshme nga të dyja tifozeritë, por tifozët duhet të jenë të ndarë. U kërkojmë të gjithë tifozëve shqiptarë që të kthejnë mbrapsht biletat që i kanë blerë në sektorët ku duhet të jenë vetëm tifozë danezë.”Telia Parken ka një kapaciltet prej 38.065 vendesh dhe në bazë të rregullorës së UEFA-s, vetëm 5% u takojnë tifozëve shqiptarë. Gjithsesi, Federata daneze e Futbollit, ka vënë në dispozicion të homologes shqiptare 2100 bileta, pra rreth 250 bileta më shumë se përqindja që u takon tifozëve shqiptarë.

“Nëse shqiptarët nuk i kthejnë biletat që kanë blerë në sektorët e gabuar, do të krijohet një situatë e pakëndshme, sepse nuk do t’i lejojmë të futen në stadium. Për këtë arsye le t’i kthejnë mbrapsht dhe të marrin paratë. Na vjen keq që do të na duhet të mos lejojmë shqiptarë jorezidentë në Danimarkë që të futen në stadium edhe pse e kanë blerë një biletë, por në një ndeshje të nxehtë si kjo duhet t’i japim prioritet sigurisë.”Damimarka dhe Shqipëria kanë grumbulluar nga 10 pikë në grupin I kualifikues, që kryesohet nga Portugalia në kuotën e 12 pikëve. Kombëtarja kuqezi do të merrte automatikisht vendin e dytë në rast barazimi me gola në Kopenhagen, pasi ka golaverazh më të mirë, pa harruar faktin se formacioni i de Biasit ka një ndeshje më shumë për të luajtur. Dy të parat e grupit kualifikohen direkt Euro 2016, ndërsa e treta luan në Play-0ff. Në finalet e Europianit kualifikohet direkt edhe skuadra e tretë më e mirë.