19gusht 2015
Formacionet e mundshme:
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Eskardinja, Lilaj, Shkembi, Nimaga, Berisha, Latifi, Salihi; Trajner Mirel Josa
Dinamo Zagreb: Eduardo, Sigali, Travel, Matel, Pivariç, Maçado, Soudani, Simunoviç, Henrikez, Rog, Pjaca; Trajner: Zoran Mamiç
Gjyqtar: Sergei Karasev
Sot, Skënderbeu ka rastin të shkruajë… HISTORINË. Kampionët e Shqipërisë do të presin në “Elbasan Arena” Dinamon e Zagrebit, në një duel 180- minutësh (sot luhet akti i parë, takimi i vajtjes), ku do të synojnë të bëjnë një mrekulli, edhe pse një gjysmë të tillë e kanë bërë tashmë, duke siguruar fazën e grupeve të Ligës së Europës (në rast skualifikimi do të jenë protagonistë në turneun e Kupës së “vogël” të kontinentit).
Por, të marrësh pjesë në Champions, është një tjetër gjë, është një ëndërr që nëse bëhet realitet, do t’i shndërronte “ujqërit” korçarë në një legjendë të gjallë. Dhe për të luftuar për këtë objektiv madhështor, ata do të kenë me vete jo vetëm tifozët e tyre, jo vetëm të pranishmit në stadium, por një komb të tërë, i cili, ashtu sikurse ëndërron që të shohë Kombëtaren shqiptare në Europianin “Francë 2016″, kërkon të krenohet edhe me kampionët vendës, të cilët mund të kenë shansin që të testojnë forcën e tyre me 31 skuadrat e tjera më të forta të Europës. Edhe pse misioni nuk është nga ata më të lehtit, për disa ndoshta edhe i pamundur, Skënderbeu duhet të besojë, duhet të luftojë, sepse shembuj për t’u frymëzuar, të paktën në dekadën e fundit, ka plot.
Skënderbeu-Dinamo Zagreb, statistikat “pro” korçarëve
• Palët takohen për herë të parë në garat europiane. Gjithashtu, është edhe takimi i parë i Skënderbeut me kundërshtarë kroatë.
• Eksperienca e vetme e Dinamos së Zagrebit me një kundërshtar shqiptar është ajo e Tiranës në sezonin 1996-1997 duke i fituar të dy përballjet me një rezultat në total, 10-2. Kjo ndeshje ishte për turin paraeliminator të Kupës UEFA. Dinamo, në këtë vit, drejtohej nga trajneri Oto Bariç, i cili më vonë u bë trajner i Kombëtares shqiptare.
Ecuria
• Dinamo ka arritur në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në sezonin 2012-’13, por në sezonin 2013-’14 u eliminua në raundin “play-off” nga Austria e Vjenës.
• Skënderbeu ndodhet për herë të parë në raundin “play-off” të Champions-it, duke hyrë në historinë e futbollit të klubeve shqiptare, pasi bëhen klubi i parë shqiptar duke siguruar një fazë kaq të madhe në veprimtaritë europiane.
• Skënderbeu është i pamposhtur në shtatë ndeshje europiane të luajtura në shtëpi, 6 fitore dhe 1 barazim.
• Dinamo nuk është munduar në asnjë nga katër ndeshjet eliminatore të Champions-it në këtë sezon, 1 fitore dhe 3 barazime.
• Shqipëria dhe Kroacia kurrë nuk janë takuar më parë në nivele të larta të futbollit ndërkombëtar.
• Në 12 ndeshjet e zhvilluara mes klubeve kroate dhe shqiptare në veprimtaritë europiane, bilanci është për kroatët me 6 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.
• Ekipet shqiptare janë të pamposhtur në pesë takimet e fundit ndaj kundërshtarëve kroatë, 4 fitore dhe 1 barazim. Lidhjet mes klubeve
• Mbrojtësi kroat i Skënderbeut, Marko Radas, është produkt i akademisë së Dinamos, por në asnjë rast nuk luajti me ekipin e parë. Disa futbollistë të Skënderbeut kanë përvojë në futbollin kroat: Sabien Lilaj (Lokomotiva Zagreb 2011-’12), Arbër Abilaliaj (Inter Zapreshiç 2010-’12), por edhe sulmuesi bullgar Ventsislav Hristov (Rijeka 2014-’15).
• Lilaj ka luajtur me Domagoj Antoliç dhe Josip Pivariç të Dinamos te skuadra e Lokomotivës së Zagrebit.
• Dinamo krenohet me talentin shqiptar, mesfushorin 18-vjeçar Endri Çekiçi, pjesëtar i Kombëtares shqiptare U-21. Babai i tij, Ylli Çekiçi, është një ish-lojtar i Skënderbeut.
• Mesfushori i Dinamos së Zagrebit, Arijan Ademi, ka lindur në Kroaci dhe luan me Kombëtaren e Maqedonisë, por është shqipfolës.
Skënderbeu, 14.7 milionë euro për të mundur Dinamon e Zagrebit
Në lojë është histori, një përrallë e bukur, e cila mund të ketë edhe një fund… milioner. Që Skënderbeut nuk do t’i mungojë asgjë për të luftuar deri në sekondën e fundit kundër Dinamos së Zagrebit, kjo është e garantuar, duke qenë se korçarët, përveç përmirësimit të prestigjit të tyre, do të luftojnë edhe për një “thes” me miliona euro të cilët asnjë klub shqiptar nuk i ka ëndërruar ndonjëherë, e jo më të ketë luksin që t’i ketë në buxhet, pas një dueli që zgjat vetëm 180 minuta. Kampionët e Shqipërisë kanë arkëtuar deri tani 700 mijë euro; 300 mijë nga pjesëmarrja në turin e dytë eliminator dhe 400 mijë të tjera nga ajo në turin e tretë, por ndërkohë, faza “play-off” do t’i bëjë edhe më të pasur. Në rastin më të keq, por me shpresën që do ndodhë krejt e kundërta, Skënderbeu do të arkë- tojë 3 milionë euro, nëse eliminohet nga Liga e Kampioneve, duke e dërguar shifrën e përfitimit në 3.7 milionë. Por, këtyre “numrave” do t’u shtohen edhe 2.4 milionë euro të tjera, që u dhuron UEFA skuadrave të kualifikuara për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke e dërguar përfitimin total në 6.1 milionë euro. Por muzika do të jetë krejt tjetër, nëse Skënderbeu mposht kampionët kroatë. Përveç 700 mijë eurove të deritanishme, bardhekuqtë, në rast kualifikimi, do të arkëtonin 2 milionë euro për suksesin në fazën “play off”, plus 12 milionë euro të tjera për pjesëmarrjen në fazën e grupeve, për një total prej 14.7 milionë eurosh, të cilat mund të jenë edhe 14.7 milionë arsye, për të bërë 180 minutat më të mira të historisë së këtij klubi.