17gusht 2015 – Dita e shumëpritur erdhi… Kampionati i 77-të Kombëtar i Kategorisë Superiore do të startojë, të premten, më 21 gusht.Ndeshja premierë do të jetë ajo, që do të zhvillohet në kryeqytet, Partizani – Laçi, e cila do të luhet në orën 20:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.Në “Qemal Stafa”, stadiumin mitik për futbollin shqiptar, FSHF ka menduar të zhvillojë edhe ceremoninë tradicionale të çeljes zyrtare të sezonit të ri futbollistik.
Një ditë më pas, më 22 gusht, miniceremoni do të organizohen edhe në tri stadiume të qyteteve të tjerë, ku do të luhen ndeshjet e javës së parë të K77K.Kështu, në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, Tërbuni do të presë Tiranën; në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, skuadra vendase do të ndeshet me Bylisin, ndërsa në mbrëmje, në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, Flamurtari do të përballet me Teutën.Takimi i kësaj jave, Vllaznia-Skënderbeu, është shtyrë për t’u zhvilluar më 9 shtator, pasi më 25 gusht, Skënderbeu do të zhvillojë ndeshjen e kthimit në Zagreb ndaj Dinamos për fazën “play-off” të Champions League.
Ja dhe kalendari i javës së parë
21.08.2015
PARTIZANI – LAÇI
22.08.2015
FLAMURTARI – TEUTA
KUKËSI – BYLIS
TËRBUNI – TIRANA
Ndeshje e shtyrë, më 9 shtator
VLLAZNIA – SKËNDERBEU