· Dako: Ka ardhur koha të bëhen gjëra konkrete dhe jo fjalë në përgjithësi

14 gusht 2015 –  Shteti më i madh i botës i “vë syrin” Durrësit? Në mesditën e së premtes, më 14 gusht 2015, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim kryetarin e Bashkisë Shantou të provincës Guangdong të Kinës, Zheng Renhao. Gjithashtu në përbërje të delegacionit kinez, ishin edhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj bashkie. Delegacionin e shoqëronin edhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë Jiang Yu (që është bërë si e shtëpisë në Durrës) dhe një grup biznesmenësh kinezë.

DAKO: LUFTONI PËR SPITALLËN, MERRNI ME 1 EURO 480 HA

Në këtë takim u diskutua për hapat në forcimin e marrëdhënieve midis dy bashkive dhe shkëmbimin e përvojave në fushën portuale, tregtisë dhe edukimit. Mikpritësi Dako i ka bërë delegacionit kinez një ekspoze të hollësishme mbi qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku shqiptar u ndal veçanërisht në sektorin ekonomik, ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Durrësi ka çfarë t’u ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës, sidomos në 480 hektarë të Spitallës, ku zona ekonomike pas një konkurrence do të jetë me 1 euro. Dako u ndal edhe në fushën e turizmit duke i njohur zyrtarët kinezë me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.

RENHAO: NËPËRMJET DURRËSIT NË EVROPË

Nga ana e tij kryetari i bashkisë Shantou, Zheng Renhao, ka falënderuar kryebashkiakun Vangjush Dako për pritjen dhe e uroi për mandatin e tretë, duke i kërkuar me modesti ta ndihmonte me përvojën e tij. Dako shprehu dëshirën që edhe homologu Renhao të fitojë disa mandate të tjera si kryebashkiak. U bisedua mbi shumë fusha, por kryesisht atë ekonomike ku mund të ngjallet edhe interesimi i investitorëve kinezë. Dako vuri në dukje se ka ardhur koha të bëhen gjëra konkrete dhe jo fjalë në përgjithësi. Kryebashkiaku i Shantout Renhao tha se mund të hapen filiale të kompanive kineze në Durrës, duke shfrytëzuar portin e Durrësit për depërtim në Ballkan dhe Evropë, meqenëse dhe Rruga detare e Mëndafshit nga Kina në Evropë kalon përmes Durrësit. Renhao bëri të ditur se të nesërmen, të shtunën, më 15 gusht 2015, do të shkonin dhe në bashkinë-port të Pireut në Greqi. Po ashtu Renhao shtroi dhe problemin e një linje ajrore të dedikuar Pekin-Tiranë.

DOKUMENTI

Më pas kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe kryebashkiaku i qytetit kinez të Shantou, Zheng Renhao kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit midis dy qyteteve me qëllim thellimin e marrëdhënieve reciproke dhe miqësore, për shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shoqërisë, kulturës etj, si dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët. Memorandumi i bashkëpunimit mes qytetit Shantou, Provinca Guangdong, Republika Popullore e Kinës dhe qytetit të Durrësit, Republika e Shqipërisë, për nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve të mëtejshme përmban disa pika kryesore ku të dyja palët bien dakord të vendosin marrëdhënie shkëmbimi miqësor për të thelluar bashkëpunimin mes qeverisjeve dhe popullsisë së dy qyteteve, dhe të kryejnë shkëmbimet reciproke të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, shkencës dhe teknologjisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe turizmit, etj si dhe për të diskutuar më tej shkëmbimet reciproke të lartpërmendura dhe bashkëpunimin në sektorët e lartpërmendur, duke dërguar përfaqësues dhe duke bërë promocion. Me anë të këtij memorandumi të dyja palët bien dakord për të vendosur marrëdhënie miqësore të dy qyteteve bazuar në nivele të ndryshme dhe në një gamë të gjerë shkëmbimi dhe bashkëpunimi për  të thelluar bashkëpunimin dhe për të rritur prosperitetin dhe progresin e përbashkët.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se memorandumi i bashkëpunimit që u nënshkrua me bashkinë e Shantout është i dyti pas atij të nënshkruar me një tjetër qytet të rëndësishëm kinez si Ningbo. Sipas Dakos, ky forcim i bashkëpunimit të qytetit të Durrësit me disa qytete të rëndësishme kineze, krijon hapësira zhvillimi në fusha të ndryshme për qytetin e Durrësit i cili mund të konsiderohet nga biznesi kinez si platformë ekonomike e rëndësishme. Në fund të takimit, i cili kaloi në një frymë shumë miqësore, dy kryebashkiakët, shkëmbyen dhuratat e rastit.

Info 1

Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të Bashkisë Shantou:

1.      Zheng Renhao, Kyetari i Bashkisë Shantou të provincës Guangdong.

2.      Zhao Hong, zëvendëskryetar i Bashkisë.

3.      Qiu Yihui, Sekretar i përgjithshëm i qeverisjes popullore të Bashkisë.

4.      Hu Dong, drejtor i Zyrës së Arsimit.

5.      Chen Peng, drejtor i Zyrës së Punëve të Jashtme.

6.      Liu Wenhua, zëvendësdrejtore e Zyrës së Tregtisë.

Delegacioni shoqërohet nga:

1.      Jiang Yu, Ambasadore e R. P. të Kinës në Shqipëri.

2.      Ma Lihui, zëvendësambasador.

3.      Wang Xianya, specialiste-përkthyese dhe 11 biznesmenë

Info 2

Shantou është një nga 5 zonat speciale ekonomike të Kinës, një qytet-port i rëndësishëm. Qyteti ka një sipërfaqe prej 2 064 km katror dhe një popullsi prej 5.5 milionë banorë. Shantou njihet edhe si “Meka Kulturore Bregdetare” për shkak të trashëgimisë së madhe kulturore. Po kështu Shantou ka ambjent të shkëlqyer biznesi. Ai është një nga bazat më të mëdha të prodhimit të veshmbathjeve, një bazë e rëndësishme për prodhimin e lodrave, kozmetikës, prodhimeve artizanale, makinerive paketuese etj.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/