· Në shtator bëhen të ditur emrat e administratorëve të njësive administrative (ish-bashki e ish-komuna), tani janë komanduar përkohësisht juristë të bashkisë së qytetit për marrjen në dorëzim të pushtetit nga ish-kryetarët

10 gusht 2015 – E çuditshme, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i emëroi shpejt e shpejt administratorët, kurse qytetari nr. 1 i Durrësit Vangjush Dako, e ka marrë më me nge: i komandoi (ad-interim).

“Dyrrah”-u mësoi se emrat e administratorëve të njësive administrative (ish-bashki e ish-komuna) të Bashkisë së Durrësit (kryesisht zona fshatare, tani qytetare: Rrashbull, Katund i Ri, Sukth, Manzë e Ishëm) nuk do të bëhen të ditur zyrtarisht para shtatorit, ndërkohë që për procedurat e dorëzimit të dokumenteve nga ish-bashkitë Sukth e Manzë dhe ish-komunat Rrashbull, Katundi i Ri, Ishëm janë komanduar si administratorë punonjës së administratës së ish-bashkisë për pjesën e qytetit, kryesisht juristë.

Kryebashkiaku Dako po negocion me aleatët për t’u dhënë administratorë për 5 zonat jashtë qytetit, nisur nga rezultatet si në rang bashkie ashtu dhe në rang njësish administrative. Natyrisht LSI-a, e cila dhe pse në rang bashkie doli e treta (19,90 për qind) pas PS-së (25,09 për qind), PD-së (23, 89 për qind), ka pasur rezultate spektakolare si në qytetin e Durrësit (vetëm 975 vota më pak se PD-ja që u rendit e dyta), ashtu dhe ish-komunat dhe bashkitë e tjera. Në Ishëm LSI-a doli në vend të parë (me 31,77 për qind të votave), duke lënë prapa PD-në (me 24,08 për qind) dhe PS-në (22,74 për qind). Në PS nuk ka dyshime se administratori i takon LSI-së. Ndërkohë kjo forcë politike ka dalë e dyta pas PD-së dhe sipër PS-së në Rrashbull dhe Sukth. Ndoshta, Dakoja s’e ka problem që edhe këto dy njësi administrative t’ia japë LSI-së.

Kurse aleatët e tjerë si PDIU, FRD, PSM, ADS kanë rezultate modeste, por që militantë të tyre të punësohen në pozicione po aq modeste nëpër zyrat e njësive administrative.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/