7 gusht 2015 – Hamami mesjetar në qendër të qytetit të Durrësit ka mbetur në mëshirë të fatit. Monumenti që ndodhet pranë rrugës Tregtare (tani bulevardi “Epidamn”) vazhdon të jetë i mbyllur prej disa vitesh dhe oborri i tij është dëshmi e degradimit të këtij objekti të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Hamami është restauruar në fillim të viteve 1980 dhe për afro dy dekada tërhiqte interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët vlerësonin “banjën” 200-vjeçare të qytetit antik, i cili vazhdon të ruajë në qendër të tij edhe monumentin arkeologjik të banjave më të hershme, ato të termave të periudhës romake.
Para 2-3 vitesh një subjekt privat kreu disa ndërhyrje të tjera restauruese në hamamin mesjetar të Durrësit, por marrëveshja me Institutin e monumenteve të kulturës duket se u prish shpejt. Aktualisht mjediset e jashtme të objektit janë në gjendje të mjeruar.
Banja e periudhës turke ndodhet pranë banesës së familjes durrsake Vokopola. Nuk dihet nëse funksioni i saj ka qenë publik apo privat.
Info
Nga të dhënat e restaurimit të vitit 1982 mësohet së qendër të kompozimit planimetrik të saj ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysmësferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysmësferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tri dritare të tjera të rrumbullakta, çka plotëson ndriçimin e dhomës.
Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje.Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.
Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shekullin e 17-të. Banja mesjetare e Durrësit duhet të jetë ndërtuar më vonë.
Një banjë tjetër e fundit të shekullit të 19-të ka mbijetuar si banjë publike deri në mesin e viteve 1960, kur pranë saj u ngrit teatri “Aleksandër Moisiu”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/