7 gusht 2015 – Të gjithë deputetët marrin një pagë standarde prej 155.550 lekë në muaj (bruto), e cila pasi zhvishet nga detyrimet, siç janë Sigurimet Shoqërore, Sigurimet Suplementare dhe Tatimi mbi Të Ardhurat Personale, zbret në 123.951 lekë në muaj. Kjo është paga neto që kalon në llogaritë e deputetëve.
Por, deputetët përfitojnë dhe marrin të ardhura të tjera, të cilët burojnë pikërisht nga statusi i deputetit dhe ushtrimi i funksionit. Përfitojnë dieta nga shërbime të ndryshme, marrin një kuotë të caktuar për shpenzimet e telefonit, paguhen për udhëtimin kur banojnë në një distancë të caktuar larg Tiranës, përfitojnë kompensim të shpenzimeve për qira banese, për fjetje gjatë udhëtimeve, për udhëtimet jashtë shtetit, për shpenzim karburanti, marrin para për çdo pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare, për pjesëmarrje në seancat plenare, në komisionet e tjera të posaçme etj.
Kostoja e deputetëve për taksapaguesit shqiptarë
1. Deputeti shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve 2 000 lekë për çdo mbledhje.
2. Kryetarët e komisioneve marrin 2 500 lekë për mbledhje.
3. Deputetët shpërblehet për pjesëmarrje në mbledhjet e këshillave, Byrosë së Kuvendit, komisionet hetimore etj., 2 000 lekë për çdo mbledhje.
4. Deputeti përfiton dieta ditore, për ditët e shërbimit brenda vendit, në masën 4 për qind të pagës bazë dhe vlerë hoteli deri në 3 000 lekë nata.
5. Deputetët me vendbanim në rrethin e Tiranës përfitojnë dieta ditore deri në 6 ditë në muaj për ditët e shërbimit jashtë rrethit të Tiranës.
6. Deputetët, deklarimi i vendbanimit të të cilëve nuk është në rrethin e Tiranës, përfitojnë dieta ditore deri në 12 ditë në muaj gjatë kohës që marrin pjesë në seancë.
7. Deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit përfiton dieta ditore.
8. Kuvendi mbulon shpenzimet telefonike për deputetët, për vlerën mujore prej 17 000 lekësh.
9. Për kryetarët e komisioneve të përhershme dhe kryetarët e grupeve parlamentare vlera mujore është 20 000 lekë.
10. Shërbimi i shpenzimeve në telefon mbulohet gjatë gjithë vitit.
11. Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin e deputetëve. Përfitojnë nga e drejta e mbulimit nga Kuvendi të shpenzimeve për strehim, në masën 35 000 lekë në muaj.
12. Përjashtohen nga e drejta e përfitimit për strehim deputetët me banim në rrethet: Durrës, Elbasan, Kavajë, Peqin, Krujë, Lezhë, Lushnjë, Fier, Rrëshen.
13. Kuvendi mbulon shpenzimin për pagesën e tarifës së pajisjes me pasaportë diplomatike vetëm për deputetët, gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit.
14. Njoftimi për kreditimin në llogari personale bankare do të bëhet elektronikisht nga Shërbimi i Financës pas datës 20 të çdo muaji.
15. Kryetarët e komisioneve parlamentare, kryetarët e grupeve parlamentare dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në vizitat zyrtare apo veprimtari të tjera parlamentare, brenda dhe jashtë vendit, kanë të drejtë të shkëmbejnë dhurata simbolike apo materiale promovuese të vendit.
/Gazeta ‘Sot’/