6 gusht 2015 – Dy instrumentistë të rinj dominuan skenën e mbrëmjes së pestë të Bienales muzikore që po zhvillohet në qytetin e Durrësit.

Nata e muzikës romantike me temë “Virtuozizmat” solli për dëgjuesit e shumtë në galerinë e arteve “Jozef” vepra nga Pablo de Sarasate (1844 – 1908), Enrique Granados (1867 – 1916) dhe Isac Albeniz (1860 – 1909). Violinisti 18-vjeçar Daniel Vlashi, i shoqëruar në piano nga bashkëmoshatarja e tij Dania Dodani Dedja, fituan duartokitjet e merituara të publikut për nivelin e lartë artistik dhe pjekurinë profesionale.

Ky ishte koncerti i parë në Shqipëri për Daniel Vlashin, i cili jeton me familjen në Spanjë dhe studion në Konservatorin Superior të Lionit (Francë). 30 vjet më parë, i ati Floriani, edhe ai violinist, do të vlerësohej në koncertet e para si solist në Durrës dhe në Tiranë.

Festivali ndërkombëtar “Netët e muzikës klasike” zhvillohet çdo dy vjet në Durrës dhe ka mbërritur në edicionin e tij të shtatë. Ai ka nisur më 1 gusht dhe në koncertet e organizuara në Muzeun Arkeologjik, teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe katedralen “Shën Luçia” kanë interpretuar tri ansamble muzikore dhe rreth 20 artistë vendas dhe të huaj. Muzikantët kanë realizuar edhe koncerte në Institutin e minorenëve në Kavajë dhe spitalin rajonal të Durësit.

Sot në mbrëmje do të zhvillohet konkursi “Nata e yjeve të reja”, ndërsa mbrëmja e së premtes i kushtohet muzikës bashkëkohore.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/