5 gusht 2015 – Kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo ka folur hapur dhe pa doreza teksa i kërkon kryeministrit Edi Rama që të zbatojë dy marrëveshjet që ka me PS-në, ajo e vitit 2013 dhe marrëveshja parazgjedhore e 2015-s.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Milo tregon se është i vendosur për të marrë atë që i takon, dhe shpreson që në muajin shtator premtimet të bëhen konkrete. Herën e parë, Milo tregon se Rama e dhjeu marrëveshjen dhe shpreson që të mos e dhjesë edhe të dytën, sepse kjo më pas do të vijojë pambarimisht.
“Ne nuk kemi ndonjë gjë konkrete përveç premtimeve të parazgjedhjeve vendore. Kështu që, nuk jemi as kaq egoistë sa të kërkojmë gjëra që nuk na takojnë, por jemi kaq parimorë dhe të vendosur që të vazhdojmë të kërkojmë ato gjëra që na janë premtuar dhe që na takojnë.
Nuk besoj që PS-ja të bëjë për herë të dytë të njëjtin gabim që ka bërë para disa muajsh, që të premton në prag të fushatave zgjedhore dhe harron pasi fiton pushtetin qoftë edhe me kontributet tona. Këtë herë do të ishte e tepërt ta bënin për herë të dytë, sepse mendoj se një fjalë që kam përdorur kur nisëm negociatat për zgjedhjet vendore që deri në atë kohë e kishin (më fal për shprehjen) dhjerë, në marrëdhëniet me ne, frazë kjo që e kam përdorur në takimin zyrtar, nuk besoj që ta (më fal) dhjesin për herë të dytë. Sepse bëhet diarre dhe po të zuri diarreja, ajo vazhdon pastaj pambarimisht”, shprehet Milo.
I pyetur edhe për mënyrën se si po qeveris kabineti Rama, Milo sërish përgjigjet pa doreza, duke e cilësuar qeverinë e Partisë Socialiste si një repart ushtarak dhe kryeministrin Rama si një komandant, të cilit nuk i bëhet fjala dysh dhe që nuk guxon askush t’i bëjë qoftë edhe vërejtjen më të vogël.
“Pra, kemi të bëjmë me një qeveri që dominohet nga kryeministri, që është ai bartësi i mendimeve, i politikave, ndërkohë që të tjerët janë zbatues ose, siç i pëlqen auditorit social t’i quajë, anëtarë të skuadrës që zbaton detyrat e caktuara politike saktësisht të kapitenit të ekipit. Pra, nuk ka individualitet, ose ka pak prej tyre që shquhen apo bëjnë punë krijuese”, përfundon fjalën e tij Milo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/