4 gusht 2015 – Angazhimi gjithnjë e më i madh i të rinjve dhe i gruas në politikë është evident në çdo nivel të qeverisjes, qoftë kjo qendrore apo lokale. Një fakt i tillë ishte evident edhe në mbledhjen e parë të këshillit të ri bashkiak në Durrës dalë nga zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, ku shihej se gati 50 % e anëtarëve të këshillit bashkiak ishin gra dhe vajza te reja, madje të angazhuara për herë të parë në politikë.
Marjeta Lila, 33 vjeçe, me profesion ekonomiste ardhur nga shoqëria civile është ndër anëtaret më të reja të këtij këshilli bashkiak, pjesë e grupit të këshilltarëve të majtë propozuar nga Partia Socialiste e Moderuar.
Në një intervistë të shkurtër për “Dyrrah”-un, Marjeta Lila shprehet se angazhohet për herë të parë në politikë dhe zgjedhjen e saj në këshillin bashkiak e shikon më tepër si përgjegjësi qytetare.
Znj. Lila, jeni ndër anëtaret më të reja në këshillin e ri bashkiak. Çfarë impakti përcjell për ju kjo mbledhje e parë e këtij këshilli ?
Këtë mbledhje të parë të këshillit bashkiak e përjetova me mjaft emocion. Zgjedhja në këshillin e ri bashkiak për mua është angazhimi i parë në politikë. Unë vij nga shoqëria civile, me dëshirën e mire për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes politike për zhvillimin e qytetit tim, pranova ftesën e bërë nga Partia Socialiste e Moderuar për t’u bërë pjesë e listës emërore të kësaj force politike për në këshillin bashkiak. Si qytetare e Durrësit, personalisht këtë angazhim e shoh si përgjegjësi qytetare për të dhënë kontributin tim sa mundem për një të ardhme më të mirë për qytetin dhe fëmijët tanë.
Si e shikoni angazhimin në rritje të më të rinjve në politikë ?
Angazhimin e më të rinjve në politikë e shoh tepër pozitiv dhe novatore. Të rinjtë do të sjellin energji dhe ide të reja. Ndërthurja e eksperiencës së politikanëve më të vjetër me energjinë dhe idetë e reja të të rinjve, besoj se çon drejt vendimmarrjeve të duhura në dobi të qytetarëve dhe zhvillimit të qytetit.
Si pjesë e grupit të këshilltarëve të majtë në këtë këshill bashkiak, si e shikoni të majtën në qeverisje?
E shoh mjaft të konsoliduar, në çdo nivel të qeverisjes, besoj se po bën më të mirën e mundshme për zhvillimin e këtij vendi. Ka kaluar vetëm gjysma e mandatit 4-vjeçar dhe është bërë një punë mjaft e madhe.
Dhe së fundi, ky angazhim i parë juaji në politikë, besoni se do të rrisë më tej ambicjet tuaja politike?
Shpresoj dhe besoj se po, megjithatë kjo eksperiencë e parë e imja në politikë besoj se do të ndikojë shumë në këtë drejtim për të ardhmen time në politikë.
Intervistoi Monad Fama
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/