E majta merr kryetarin dhe nënkryetarin e Këshillit Bashkiak, e djathta asnjë propozim

3gusht 2015 – Betohet për herë të tretë Vangjush Dako në cilësinë e kryebashkiakut të Durrësit. Sot u zhvillua ceremonia e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Durrësit i dalë nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Me ndarjen e re territoriale tashmë Këshilli Bashkiak do të ketë 51 anëtarë nga 45 të tillë që kishte më parë. Mazhoranca qeverisëse e cila ka dhe shumicën në këtë këshill përfaqesohet me 35 anëtarë dhe opozita me 16 anëtarë.

Të pranishëm në këtë mbledhje të parë të Këshillit Bashkiak ishin përfaqësues nga shoqëria civile, deputetë të qarkut si dhe ministri i shtetit për çështjet vendore Bledi  Cuçi. Pas fjalës përshëndetëse të prefektit të qarkut Durrës Roland  Xhelilaj, kjo mbledhje e parë e këshillit bashkiak sipas rendit të ditës nisi  drejtimin e këshilltares më të vjetër, Mira Kaurri. Pas procedurës rutinë të vërtetimit të mandateve të këshiilltarëve dhe betimit të tyre u kalua në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak.

Pas votimit të 51 anëtarëve me 36 vota pro, Kryetar i Këshillit Bashkiak u zgjodh  45 vjeçari Alban Ramohitaj, i cili rikonfirmohet në këtë detyrë pasi ka drejtuar keshillin bashkiak në dy vitet e fundit të mandatit të kaluar. Kandidatura e Alban Ramohitajt erdhi e propozuar nga mazhoranca e përfaqësuar nga Aleanca për  Shqipërine Europiane, ndërkohë opozita nuk propozoi asnjë emër për këtë post. Pas këtij momenti mbledhja drejtohet nga kreu i sapozgjedhur i këshillit bashkiak, i cili pasi përshëndeti shkurtimisht të gjithë të pranishmit kaloi në pikën tjetër të rendit të ditës, më zgjedhjen e nënkryetarit të këtij  këshilli. Pas votimit të kryer me shumicë të theksuar votash si nënkryetar i këshillit bashkiak zgjidhet Artur Bujari përfaqësues i LSI-së  propozuar nga këshilltarët e majtë. Edhe për këtë post ashtu si edhe në rastin e zgjedhjes së kryetarit, opozita nuk propozoi asnjë emër.

Pjesë e rëndësishme e rendit të mbetur të ditës ishte dhe deklarimi i vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë Vangjush Dako, ku kryetari i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj lexoi vendimin e Gjykatës referuar vlefshmërise së mandatit të kryebashkiakut Dako, i cili pas betimit përpara anëtarëve të këshillit bashkiak, në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera tha:

“Garantoj se do të jem gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike. Me ndarjen e re territoriale administrojmë një territor më të madh të Bashkisë dhe kemi mundësi tu shërbëjmë një komuniteti më të madh qytetarësh.  Së bashku do të punojmë për t'i kthyer të gjitha projektet tona në realitet në të mirë të zhvillimit të qytetit”. 

Ndërkohë ministri Bledi Cuçi në fjalën e tij ndër të tjera përcolli mbështetjen e plotë të Qeverisë për projektet e Bashkisë së re  të Durrësit.

Mbledhja e parë e këshillit bashkiak u mbyll me pikën tjeter të rendit të ditës, pikërisht me zgjedhjen e këshilltarëve përfaqësues të këshillit bashkiak në këshillin e qarkut.

/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/