· Sulm i ashpër i botuesit të “55”-ës te MAPO-ja: Osman Stafa, kryetar pa kapacitet intelektual dhe me folklorizma për zgjedhjet

2 gusht 2015 –Nënkryetari i PD-së dhe i deleguari i selisë qendrore në Durrës për fushatën zgjedhore të 21 qershorit 2015 Edmond Spaho deklaron se nuk është momenti për koka turku, por për të parë pikat ku dështoi opozita.

Analiza “do të nxjerrë të metat dhe mangësitë që karakterizuan punën tonë nuk është e thënë që gjithçka t’ia vendosim sistemit manipulimit, por, sigurisht, për të qenë racionalë, ne do të bëjmë analizën dhe do të nxjerrim përgjegjësitë tona. S’ka pse të ketë koka turku. Qëllimi i analizës nuk është që të gjejë koka turku, por të përmirësojë ato, të cilat nuk ecën mirë gjatë këtij procesi”, thotë Spaho.

Reagimi i nr. 2 të PD-së në “A1 Report”, më 2 gusht 2015, vjen fill pas një deklarimi të botuesit të “55”-ës Fahri Balliu, po më 2 gusht, në të përditshmen MAPO, ku ngarkon me përgjegjësi strukturat e partisë për humbjen shokuese me mbi 13 mijë vota.

Sipas Balliut, në Durrës ka “një strukturë partiake me fraktura të rënda ku përfshihet kryetari i partisë, ku përfshihet një grup ish-drejtorësh, të cilët tre prej tyre janë në prokurori dhe këtu është një gabim i pafalshëm aktivizimi i tyre dhe shkuarja me mendimin komunist që të jemi të gjithë bashkë”.

Madje, Balliu tregohet tejet i ashpër dhe me kryetarin e degës së PD-së, Osman Stafa, i cili është, sipas tij, “një kryetar partie…, që nuk ka kapacitet intelektual dhe përdor folklorizma nëpër aulat e të folurit për zgjedhjet”.

Balliu thotë se në Durrës “PD-ja kishte një nga kandidatët, një nga gjeneratorët më të fuqishëm të mesazhit strategjik politik të së djathtës siç ishte znj. Grida Duma, e cila në totalin e vet ishte një kandidate e fuqishme, e zonja, që e pëlqenin, e miratonin edhe militantë të së majtës” dhe “në qoftë se struktura e partisë në Durrës do të ishte në përmasat e kandidates, nuk do të kishte shanse për të humbur”. Ndërkaq, botuesi i bën një “furçë” realiste kundërshtarit të Dumës, Vangjush Dako.

Por, me sa duket, botuesin e MAPO-s Henri Çili, që qëndronte prapa fushatës mediatike të Dumës, e shqetëson edhe e ardhmja e saj politike, pas rezultatit shpartallues. Balliu e qetëson kolegun: “Mendoj se nga Durrësi ne kemi mbjellë një pemë, e cila do të japë frytet e veta bashkë me një rikonstruksion të fortë të strukturave të partisë”. Por njeriu i Basha-Berishës u fut “drithërimat”, jo vetëm të deleguarit të SHQUP-it Edmond Spaho, por edhe strukturave aktuale të degës vendore. Fakti që Balliu sulmoi për rezultatin e Vlorës të deleguarin e selisë qendrore, sekretarin e përgjithshëm të PD-së Arben Ristani apo Ridvan Boden për Korçën etj. është një kambanë alarmi dhe për Spahon.

Info / Ja çfarë tha Fahri Balliu

… rasti i Durrësit, ku PD-ja kishte një nga kandidatët, një nga gjeneratorët më të fuqishëm të mesazhit strategjik politik të së djathtës siç ishte znj. Grida Duma, e cila në totalin e vet ishte një kandidate e fuqishme, e zonja, që e pëlqenin, e miratonin edhe militantë të së majtës. Ajo bëri një fushatë të shkëlqyer nga gjithë parametrat që ka një fushatë. Me rastin e Durrësit ne kemi një investim të hipotekuar, që në një moment të caktuar do ta japë rezultatin me një shpërthim masiv të votës. Zgjedhjet janë një rebus. Zgjedhjet nuk janë aritmetikë, zgjedhjet duhen lexuar. Por që t’i lexosh zgjedhjet, duhet të bësh ekspertizë serioze. Znj. Duma në Durrës kishte një mospërputhje midis saj që ishte një fadromë e fuqishme politike dhe një strukture partiake me fraktura të rënda ku përfshihet kryetari i partisë, ku përfshihet një grup ish-drejtorësh, të cilët tre prej tyre janë në prokurori dhe këtu është një gabim i pafalshëm aktivizimi i tyre dhe shkuarja me mendimin komunist që të jemi të gjithë bashkë. Në qoftë se ke një drejtor të korruptuar që është në gjyq, që njihet si hajdut, në qoftë se ke një kryetar partie në Durrës, që nuk ka kapacitet intelektual dhe përdor folklorizma nëpër aulat e të folurit për zgjedhjet apo në qoftë se ke një intrigant, i cili përpiqet që të ndërtojë klane dhe grupe të caktuara, atëherë duhet në mënyrë absolute që të ndahesh sepse kështu fiton. Sepse ti i thua opinionit publik që unë e kam ndëshkuar këtë njeri që ka vjedhur, që ka menaxhuar miliona euro dhe që ka vajtur në dyert e gjyqit. Këta njerëz, ç’lidhje kanë me zgjedhjet? Në këtë kuptim, në qoftë se struktura e partisë në Durrës do të ishte në përmasat e kandidates, nuk do të kishte shanse për të humbur. Pastaj duhet të jemi realistë. Kur ne flasim për kandidaturat tona, duhet të flasim edhe për kandidaturat e kundërshtarit. Dhe kandidatura e kundërshtarit duhet vlerësuar. Ka njerëz me prerje të posaçme të aftësisë për zgjedhjet, që dinë të bëjnë atë lojën me porta hungareze të zgjedhjeve. Dhe këta faktorë duhen vlerësuar më qëllim që, kur hyn në betejë duhet të bësh ekspertizën se kë kam unë përpara, ku i ka ky kandidat cilësitë më të forta dhe më të dobëta. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se nga Durrësi ne kemi mbjellë një pemë, e cila do të japë frytet e veta bashkë me një rikonstruksion të fortë të strukturave të partisë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/