· ZBARDHET RENDI I DITËS/ Konstituimi i këshillit (drejtimi i mbledhjes nga këshilltari më i vjetër në moshë); betimi i këshilltarëve; zgjedhja e kryetarit dhe e zëvendëskryetarit të këshillit; deklarimi i vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë; zgjedhja e këshilltarëve në Këshillin e Qarkut
31 korrik 2015 – Ka bërë bujë bojkotimi që i bëri, më 30 korrik 2015, opozita krutane konstituimit të këshillit bashkiak të bashkisë së re të Krujës. Këtu nuk mori pjesë Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, por Prefekti i qarkut Durrës Rolant Xhelilaj.
BASHKIA E RE KRUJË
Pasi bëri betimin, kandidati fitues i bashkisë së re Krujë Artur Bushi ka nisur zyrtarisht detyrën e tij si kryebashkiak i Krujës. Gjithashtu bënë betimin edhe anëtarët e rinj të këshillit bashkiak. Në mbledhjen për konstituimin e këshillit bashkiak është votuar edhe për zgjedhjen e kryetarit të tij, Hysni Caca. Por këshilltarët e opozitës në Krujë kanë bojkotuar marrjen e detyrës në shenjë proteste ndaj shkeljes së ligjit në thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të këtij qyteti dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me sensibilizimin për “vazhdimin e betejës së dekriminalizimit”. PD-ja e quan Bushin “Kryebashkiaku trafikant i Krujës”.
TRI PANDEHMA PËR BOJKOT TË MUNDSHËM
Sikurse ka bërë të ditur “Dyrrah”-u, të hënën, më 3 gusht 2015, zhvillohet mbledhja për konstituimin e Këshillit Bashkiak Durrës. Saktësohet se kjo ngjarje është parashikuar të ndodhë ora 10.00 paradite në sallën e mbledhjeve të Këshillit të Qarkut Durrës. Nuk dihet pse jo në sallën që ndodhet në godinën e Bashkisë.
Jo
Tani shtrohet pyetja a do të kemi një “bis” krutan në Durrës nga ana e opozitës, pra, bojkot? Në pamje të jashtme, jo. Së pari, këshilltarët e Durrësit dhe mediet janë njoftuar 5 ditë përpara, sikurse e kërkon ligji, ndryshe nga rasti i Krujës, ku pretendohet nga opozita se njoftimi është bërë një ditë më parë me celular. Së dyti, për Vangjush Dakon nuk ka ndonjë problem dekriminalizimi.
Vjen a nuk vjen Ministri Çuçi në konstituim, kjo nuk do të thotë përsëritje e skenarit opozitar tiranas. PD-ja në Elbasan, Berat e gjetkë nuk ka bojkotuar. Dy nga deputetët blu, Oerd Bylykbashi dhe Igli Cara, si durrsakë tipikë, nuk shquhen se kanë mendje “pjellore” për intriga e prapaskena të holla.
Po
Por nuk përjashtohet që mund të nxjerrin “yçkla” deputetët Eduart Halimi dhe Albana Vokshi. Po të reflektojë, Halimi ka një “përvojë”, kur ka dështuar përballë Dakos, para afër dy vjetësh, më 8 nëntor 2013, në Këshillin e Qarkut. Armand Teliti u shkarkua pas votimit si përfaqësues i PD-së në Qark. Binte në sy ish-ministri i Drejtësisë Halimi me ndërhyrjet e vazhdueshme dhe debatet. Disa herë iu tha se nuk ishte në parlament dhe nuk kishte të drejtë të fliste në mbledhje, por ai vazhdonte e dirigjonte grupin e këshilltarëve të djathtë, sulmonte Dakon, replikonte me prefektin e qarkut.
Surpriza?
Mbledhja, pra, zhvillohet në sallën e Këshillit të Qarkut! Të hënën, më 3 gusht 2015, do të zgjidhen edhe 9 këshilltarët e Durrësit, plus Dako automatikisht, që do të përfaqësojnë Këshillin e Bashkisë në Këshillin e Qarkut me 19 anëtarë. Natyrisht, me Durrësin, Shijakun dhe Krujën, komplet Këshilli i Qarkut do të jetë “mavi”, pa opozitë. Nga kjo pikëpamje, Halimit and Co nuk i prish punë të bojkotohet konstituimi. Ndërkaq, për shkak të dhjetëra lidhjeve të padukshme me PD-në vendore, Dako mund të shmangë bojkotin, duke i dhënë, si befasi, opozitës dy “karrige” në Qark.
Info / Rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit Bashkiak, 3 gusht 2015
1. Fjala e hapjes dhe përshëndetjet e rastit(përfaqësues i prefekturës, Qeverisë etj.).
2. Konstituimi i këshillit(drejtimi i mbledhjes nga këshilltari më i vjetër në moshë).
a. Zgjedhja e komisionit të vërtetimit te mandateve.
b. Shqyrtimi dhe miratimi i projekt-raportit të komisionit të mandateve
c. Betimi i këshilltarëve dhe nënshkrimi i aktit të betimit.
3. Zgjedhja e Kryetarit të Këshillit të Bashkise Durrës.
a. Propozimi i kandidatëve nga grupet e këshilltarëve.
b. Ngritja e komisionit të votimit (si rregull 3 anëtarë).
c. Përgatitja e fletëve të votimit, procedurave, realizimi i votimit të fshehtë.
d. Shpallja e rezultatit të votimit dhe kalimi i drejtimit të mbledhjes te kryetari i këshillit i sapozgjedhur.
4. Zgjedhja e zëvendëskryetarit të Këshillit të Bashkisë Durrës.
a. Miratimi me votim të hapur i numrit të nënkryetarëve të Këshillit.
b. Propozimi i kandidatëve për nënkryetar.
c. Përgatitja e procedurave të votimit, kryerja e votimit.
d. Shpallja e rezultateve të votimit.
5. Deklarimi i vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë.
a. Leximi i vendimit të Gjykatës për vlefshmërinë e Mandatit.
b. Betimi i Kryetarit dhe nënshkrimi i aktit të bëtimit.
c. Fjala përshëndetëse e kryetarit të Bashkisë.
6. Zgjedhja e këshilltarëve që do të përfaqësojnë Këshillin e Bashkisë në Këshillin e Qarkut.
a. Leximi i shkresës së Prefektit për numrin e përfaqësuesve të këshillit të bashkisë në këshillin e Qarkut.
b. Paraqitja e propozimeve nga grupet e këshilltarëve.
c. Përgatitja e procedurave të votimit, kryerja e votimit.
d. Shpallja e rezultatit.
7. Mbyllja e mbledhjes.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/