30korrik 2015 – 40 vjet më parë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit u shfaq premiera e komedisë “Kartela e verdhë”, shkruar dhe vënë në skenë nga dramaturgu dhe regjisori Haxhi Rama.
Sipas aktorëve veteranë, “Kartela e verdhë” është një nga shfaqjet më jetëgjata dhe më të suksesëshme në historinë e teatrit të Durrësit. Ajo u shfaq për herë të parë më 10 korrik të vitit 1975, duke vijuar më pas edhe rreth 400 herë të tjera thuajse në të gjitha skenat e vendit.
Regjisori Rama e nisi aventurën e kësaj komedie me një trupë, ku shumica ishin amatorë, dhe më pas thuajse të gjithë personazhet i zëvëndësuan dy apo tre herë aktorët interpret. Të vetmit aktorë të pandryshuar ishin Mirush Kabashi dhe Milto Profi, në rolet gazmore të Telit dhe Fonit. Dy tifozët e “çmendur”, njëri prej të cilëve gagaç, u kthyen brenda pak kohe në personazhe mjaft popullorë jo vetëm në Durrës.
Komedia, bashkë me duartrokitjet dhe të qeshurat e pafund, ndonjëherë i ka sjellë autorëve dhe interpretëve edhe telashe, që vinin nga injoranca e drejtuesve, si në rastin e shfaqjeve në Berat. Kjo shfaqje u regjistrua nga TVSH, por pas viteve 1990 nuk është transmetuar asnjëherë në stacionin e vetëm publik shqiptar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/