30korrik 2015 –Një pasardhës i Skenderbeut do të jetë protagonist i mbrëmjes kushtuar muzikës së vjetër, në Bienalen që do të starojë më 1 gusht në qytetin e Durrësit.
Alessandro Castriota, stërnip i heroit tonë kombëtar do të interpretojë një monolog të shkruar prej tij me titullin “Traidores” (Tradhëtarët). I njohur në Itali, ku jeton dhe punon, jo vetëm si aktor, por edhe si dramaturg, regjisor dhe këngëtar Castriota do të jetë pjesë e një mbrëmjeje artistike, së bashku me sopranot Marjana Leka e Kaltrina Miftari dhe me tenorët Armando Likaj, Liridon Sadriu e Safet Berisha.
Interpretimi i aktorit Alessandro Castriota do të shoqërohet nga Ansambli koral i Prishtinës nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, kor që do të këndojë pjesë nga krijimtaria e kompozitorit Jan Kukuzeli (1280 – 1360) dhe tre korale nga Antifonari i Gjergj Danush Lapacaja (c 1495 – c 1570).
Gjatë mbrëmjes që organizohet të djelën në Muzeun arkeologjik të Durrësit do të interpretohen edhe pjesët “O Magnum Mysterium” nga Tomás Luis de Victoria (1510 – 1611), “Lamento della Nimfa” nga Claudio Monteverdi (1567 – 1643) dhe Arie nga Opera “Scanderbeg” e Antonio Vivaldit (1678 – 1741).
Shfaqja do të jetë pjesë e edicionit të 7-të të Festivalit “Netët e muzikës klasike”, ideuar dhe drejtuar nga violinisti durrsak Florian Vlashi, që jeton dhe punon prej 23 vjetësh në Korunja (Spanjë). Ky edicion i kushtohet muzikës spanjolle dhe do të organizohet në Durrës nga 1-7 gusht të këtij viti.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/