30 korrik 2015 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur paraditen e sotme në një takim ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë Znj. Jiang Yu.
Ambasadorja kineze pasi ka falënderuar kryebashkiakun Dako për mikpritjen si dhe e ka uruar atë për mandatin ri në krye të Bashkisë së Durrësit u shpreh se vizita e sotme i shërben diskutimit rreth memorandumit të bashkëpunimit që do të nënshkruhet midis Bashkisë së Durrësit dhe Bashkisë Shantou të Kinës. Gjatë vizitës që kryebashkiaku i qytetit kinez do të zhvillojë në Durrës me 14 gusht, ambasadorja kineze Jiang Yu u shpreh për rritjen e mëtejshme te bashkëpunimit me Kinën në shumë fusha si dhe interesimin e biznesit kinez përsa i përket shumë sektorëve në Durrës, por edhe në të gjithë vendin.
Nga ana e tij Vangjush Dako i ka bërë një ekspoze të hollësishme ambasadores kineze në lidhje me qytetin e Durrësit, historikun e tij dhe stadin aktual të zhvillimit të qytetit, duke u ndalur veçanërisht në sektorin ekonomik ku ka përshkruar rolin e rëndësishëm në ekonominë e të gjithë Shqipërisë të portit të Durrësit.
Durrësi, sipas Dakos ka çfarë t’i ofrojë investitorëve të huaj dhe në këtë këndvështrim ai ka kërkuar një nxitje më të madhe të investitorëve kinezë për të investuar në Durrës. Duke u ndalur edhe në fushën e turizmit, Dako i ka njohur zyrtarët kinezë me larminë e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.
Më tej kryebashkiaku Dako deklaroi se memorandumi i bashkëpunimit që do të nënshkruhet me bashkinë e Shantou është i dyti pas atij të nënshkruar me një tjetër qytet të rëndësishëm kinez si Ningbo. Sipas Z. Dako ky forcim i bashkëpunimit të qytetit të Durrësit me disa qytete të rëndësishme kineze krijon hapësira zhvillimi në fusha të ndryshme
Kryebashkiaku i Shantou-t do të vizitojë Durrësin në 14 gusht dhe do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit me kryebashkiakun Dako me anë të së cilit krijohen mundësitë për shkëmbime bilaterale si dhe mundësi të reja zhvillimi për të dy qytetet. Shantou është një nga 5 zonat speciale ekonomike të Kinës, një qytet port i rëndësishëm. Qyteti ka një sipërfaqe prej 2064 km2 dhe një popullsi prej 5.5 milionë banorësh. Shantou njihet edhe si “Meka Kulturore Bregdetare” për shkak të trashëgimisë së madhe kulturore. Po kështu Shantou ka dhe një klimë të shkëlqyer biznesi. Ajo është një nga bazat më të mëdha të prodhimit të veshmbathjeve, një bazë e rëndësishme për prodhimin e lojërave, kozmetikës, prodhimeve artizanale, makinerive paketuese etj. Në përfundim të takimit me ambasadoren kineze janë shkëmbyer edhe dhuratat e rastit ku kryebashkiaku Dako i ka dhuruar ambasadores kineze një pllakatë me smbolet e qytetit të Durrësit.
Më herët ambasadorja kineze Jiang Yu bëri një vizitë edhe ne portin e Durrësit ku u prit nga Drejtori i Pergjithshëm ekzekutiv Gazmend Shalsi.
/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/