28 korrik 2015 – Nuk dihet nëse operatorët turistikë të Durrësit kanë përgatitur paketa për vizitorët e huaj, ku të jenë planifikuar edhe monumentet “Macellum Forum”, i cili njihet si “Rotonda”; “Banjat / Termat Romake” nën pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, si dhe “Pusi i Top Hanes, prapa ndëresës së gjykatës e prokurorisë. Siç shihet edhe nga fotoja ajrore dhe harta, të tre këto monumente ndodhen shumë afër njëri tjetrit. Prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit, duke qenë se ndodhen pranë qendrës historike të qytetit, thotë drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës. Kujdesi sistematik i punonjësve të mirëmbajtjes, bën që këto monumente të nxjerrin në pah vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore dhe DRKK-ja shpreson që të huajt të vijnë këtu.

Ndërkaq DRKK-ja nuk mjaftohet vetëm me qendrën historike të qytetit. Këto ditë punonjësit e mirëmbajtjes kanë kryer pastrime nga vegjetacioni në të gjithë territorin e monumentit bazilika paleokristiane e Shën Mëhillit, në Arapaj, një nga zbulimet madhe të kryer nga arkeologu Dr. Sali Hidri. I kushtohet vëmendje e veçantë këtij monumenti, duke u kujdesur sistematikisht për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tij. Bazilika e Arapajt është e shek. VI, nga më të mëdhatë e vendit, e zbuluar në një kodër të fshatit Arapaj. Gërmimet e bëra në vitin 1983, dëshmojnë se ka qenë një ndërtim monumental me përmasa 60 x 28 m. I ndodhur në kodrat pranë plazheve të Shkëmbit të Kavajës, Plepave, sektorëve të Ilirisë, Teutës, Apolonisë, monumenti është i arritshëm nga turistët.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/