28 korrik 2015 – 21 artistë të gjinive të ndryshme do të jenë solistët e edicionit të 7-të të Bienales “Netët e muzikës klasike”, që do të nisë ditën e shtunë në qytetin e Durrësit. Pjesa më e madhe vijnë nga Shqipëria dhe Kosova, por nuk mungojnë edhe koncertistët nga Italia, Zvicra, Gjermania dhe Spanja.

Bashkë me drejtorin e Festivalit, Florian Vlashi (violinë), në shtatë koncertet e programuara do të interpretojnë emra të njohur të skenës si Marjana Leka e Kaltrina Myftari (soprano), Armando Likaj e Safet Berisha (tenor), Etrita Ibrahimi (klaviçembal), Admir Doçi (kitarrë), Enkel Zhuti e Jennifer Delfanti (balerinë), etj.

Në koncertet që do të organizohen në qendra të rëndësishme historike dhe arkeologjike të qytetit antik do të interpretojnë edhe Grupi instrumental Shekulli XX nga Spanja; Ansambli Vokal i Prishtinës dhe Orkestra e Harqeve “A. Moisiu” e Durrësit.

Në veprimtaritë e Bienales janë parashikuar edhe ndërhyrjet e kompozitorëve vendas dhe të huaj, si dhe premiera e një vepre të kompozuar enkas për NMK nga Paolino Perreira.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/