28 korrik 2015 – Befason një gjyqtar britanik. Duke dhënë dënimin e tij për një shqiptar që po e gjykonte, ai i la “gojëhapur” të pranishmit në sallën e gjyqit, me deklaratën e tij.

“Emigrantët ilegalë nuk kanë asnjë opsion tjetër përveç krimit. Ti ke ardhur në këtë vend ilegalisht, në një kamion. Mund të kesh menduar se je në gjendje të punosh në këtë vend. Por fakti është se ju nuk mund të punoni në mënyrë të ligjshme, sikundër nuk keni përfitime sociale dhe nuk merrni strehim”, u shpreh gjyqtari.

Media britanike “Express” shkruan se, gjyqtari Robin Onions e dënoi me 2 vite burg shqiptarin 27-vjeçar Ermir Bezati, për prodhim të lëndëve narkotike.

“Ti je shqiptari i dytë në dy ditë, që dënoj për këtë krim. Ty të kanë sjellë në këtë zonë, të kanë futur në një shtëpi dhe të kanë kërkuar të rrisësh kanabis dhe të kanë dhënë para kesh në dorë. E pranoj se je në fundin e rrjetit të furnizimit me drogë, por luan rol të rëndësishëm”, përfundoi ai.

Pas vuajtjes së dënimit, Bezati do të deportohet në Shqipëri.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/