25korrik 2015 –Violinisti Florian Vlashi do të kontribuojë në Bienalen e 7-të të Muzikës Klasike që organizohet në Durrës me të gjithë familjen e tij.
Katër pjestarët e familjes Vlashi, që jeton prej 23 vjetësh në Korunja (Spanjë), do të interpretojnë si instrumentistë në veprimtarinë që nis më 1 gusht dhe që do të vijojë për 8 ditë radhazi. Martini 11-vjeçar do të ketë premierën e tij në Bienalen që organizon i jati që nga viti 2003 dhe së bashku me të ëmën, Redianën janë dy nga violonçelistët e veprimtarisë. Djaloshi studion në Konservatorin profesional të muzikës në Korunja, dhe është bërë pjesë e Orkestrës sinfonike të fëmijëve të Galicisë.
Danieli 18-vjeçar vjen për herë të tretë në Bienale dhe do të interpretojë si solist, pas përvojave të konsoliduara si violinist në Spanjë dhe Francë. Gjatë këtij viti në Konservatorin Kombëtar të Muzikës dhe Kërcimit (CNSM) të Lionit (Francë) Danieli ka interpretuar në më shumë se 10 koncerte si solist dhe si pjestar i formacioneve të vogla orkestrale.
Florian Vlashi, 10 vjet pasi u largua drejt Spanjës nisi në Durrës “aventurën” e Bienales muzikore, që e organizon çdo dy vjet në qytetin e tij të lindjes.
I formuar në shkollat e Durrësit dhe Tiranës si violinist ai ka një karrierë të njohur brenda dhe jashtë Spanjës me koncertet solistike. 52-vjeçari nga Durrësi është bërë shumë i njohur në gadishullin Iberik për themelimin dhe drejtimin e Grupit Instrumental “Shekulli XX”, me të cilin së bashku me instrumentistë nga 16 vende të botës interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë. Në të njejtin grup interpreton si violonçeliste edhe bashkëshortja e tij, Rediana, mësuese në shkollën e mesme të muzikës në Korunja (Spanjë). Për herë të parë e gjithë familja Vlashi do të interpretojë së bashku në një veprimtari të organizuar në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/