24 korrik 2015 – Sipas Ministrisë së Kulturës, në maj 2015, specialistë të sektorit të Tiranës të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës njoftuan se në zonën arkeologjikë të kalasë së Tiranës po zhvilloheshin punime të paautorizuara. Më 14 maj 2015, kjo drejtori iu drejtua Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke i bërë të ditur se subjekti “Folie” shpk po kryen punime me karakter ndërtimor të paautorizuara dhe kërkohet marrja e masave ndaluese si dhe vënia e gjobës ndaj subjektit.
Më 20 korrik 2015 familja mbretërore e pretendentit “Princ Leka II Zogu” ka bërë një ankesë, ku shprehet shqetësimi për ndërtime pa leje nga shoqëria “Ida” shpk në mjediset e lulishtes mbretërore pranë kinemasë “Millenium”, pronë e familjes mbretërore.
Menjëherë u inspektua situata në vend nga specialistët e sektorit të Tiranës të DRKK-së Durrës. Më 21 korrik 2015 u bë denoncim dhe kallëzim penal në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Kështu u ndërhy për të kryer veprimet e prishjes së objektit të paautorizuar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/