*TVSH regjistron për herë të parë në television monodramën e njohur
23korrik 2015 – Duartrokitjet e publikut dhe ovacionet zgjatën shumë mbrëmjen e kaluar, duke përshëndetur performancën e Mirush Kabashit në monodramën "Apologjia e vërtetë e Sokratit", shfaqja e së cilës mbylli edicionin e 13-të të Festivalit teatror “Butrinti 2000”.
Një trupë televizive e TVSH, me regjisor Soni Mulën, regjistroi për herë të parë të plotë monodramën që ka mbërritur në shfaqjen e saj të 150-të para publikut. Kjo do të mundësojë jo vetëm shfaqjen e saj në valët e TVSH, por edhe kënaqësinë për t’u ndjekur në versionet familjare HD.
Premiera e shfaqjes "Apologjia e vërtetë e Sokratit", me udhëheqës artistik Alfred Bualotin, i përket vitit 1997 dhe përveç qyteteve të vendit ajo është shfaqur të paktën në 15 vende të Evropës, si dhe në Kanada.
Në shtator të vitit 1997 aktori durrsak Mirush Kabashi është nderuar me çmimin "Aktori më i mirë" i edicionit të 9-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kajro (Egjypt) si dhe ka fituar çmime të tjera në Ukrainë, Bullgari, Kiev, etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/