23 korrik 2015 – Katër ish-deputetë, përfaqësues të Durrësit në Kuvendin e Shqipërisë janë njëkohësisht mjaft të njohur për kontributet e tyre në fushën e letërsisë. Librat që ata kanë botuar si poetë, shkrimtarë apo studiues janë bërë pjesë e rëndësishme e bibliotekës publike të qytetit bregdetar.

Moikom Zeqo dhe Bardhyl Agasi, bashkëmoshatarë, shokë dhe poetë që në rininë e hershme kanë filluar të botojnë në shtypin e kohës së viteve 1960.

66-vjeçari Zeqo vëllimin e parë me poezi “Vegime të vendlindjes” e ka botuar në vitin 1968, kur ishte ende 19 vjeç. Deri tani, Moikom Zeqo, një nga shkrimtarët më prodhimtarë të Durrësit ka botuar mbi 62 libra të gjinive të ndryshme.

Bardhyl Agasi shkruan që në vitet e gjimnazit, por boton vonë. Njëri pas tjetrit dalin nga shtypi 6 vëllime poetikë dhe një roman, “Papagajtë e mbramë”. Por libri më i lexuar i tij mbetet “Në krah dhe përballë”, me kujtime nga jeta e tij politike si deputet në tre legjislatura.

Dr. Ali Sula, 92 vjeç, një nga intelektualët emblematikë të qytetit të Durrësit fill pas viteve 1990 boton “Reminiscenze durazzine”, një libër plot kujtime të ndjera nga jeta e Durrësit gjatë viteve 1920-1930, çka e bën atë një dëshmitar të viteve të rimëkëmbjes së qytetit antik. Pas publikimit të versionit shqip të këtyre kujtimeve, dr. Ali Sula boton edhe librin “Vështrim historik mbi shëndetsinë dhe spitalin e Durrësit, gjatë shekullit të 20-të”.

Ardhur nga fusha e arsimit, fillimisht në politikë si deputet (1997 – 2001) Zihni Beqiraj në 10 vitet e fundit i kushtohet kompozimit me një album të plotë këngësh me temë lidhjet e Ulqinit dhe Durrësit. Gjatë veprimtarisë së tij në mbështetje të këtij raporti të hershëm mes qyteteve bregdetarë Zihni Beqiraj boton albumin letraro-muzikor “Mall për Ulqinin”, një libër i veçantë në krijimtarinë e autorëve durrsakë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/