23 korrik 2015 – Festivali ndërkombëtar veror i filmit (ISSF) në Durrës këtë vit nuk do të zhvillohet, por ai do të rikthehet pas në verën e vitit 2016 me personalitete të shquara dhe një program mjaft ambicioz.

Organizatorja e festivalit, Anila Varfi, duke iu përgjigjur interesimit të ‘Dyrrah’-ut, tha se edicioni i radhës nuk do të zhvillohet për shkak të mungesës së fondeve.

“Edicioni i 8-të i ISF-së do të organizohet pas një viti dhe në programin e tij do të ketë disa risi mjaft interesante”, u shpreh Varfi.

Stafi i festivalit po punon për paraqitjen e një grupi filmash të rinj, që i kushtohen temës së Holokaustit, ndërsa nuk do të mungojnë emra të mëdhenj të kinemasë botërore.

Që nga viti 2008, kur ky festival i njohur për Çmimet e Gladiatorit të Artë, startoi në qytetin bregdetar kjo është ndërprerja e parë. Gjatë historisë së shkurtër të tij në skenën e Amfiteatrit antik janë ngjitur emra të shquar të kinemasë si Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Fanny Ardant, Milos Forman, Paolo Sorretino, Marco Bellocchio, Rade Serbedzija, etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/