18 korrik 2015 – Regjisori dhe libretisti Haxhi Rama do të paraqesë në sezonin e ardhshëm teatror një komedi të re. Komedia “Hajduti ka shumë duar” do të jetë premiera e parë e sezonit teatror 2015-2016 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit.

72-vjeçari Rama ka ftuar në grupin e artistëve edhe aktorin kryeqytetas Neritan Liçaj, i cili do të interpretojë në një nga rolet kryesore të komedisë që mban nëntitullin “In vino veritas”.

Sipas Haxhi Ramës, i cili do të jetë edhe regjisor i pjesës së shkruar prej tij thotë se “në shumë prej dukurive negative të shoqërisë ndikon edhe qëndrimi indiferent i mjaft qytetarëve. Prandaj në një krim ka më shumë se një kriminel”.

Komedia “Hajduti ka shumë duar” ka 6 personazhe dhe ngjarjet zhvillohen mes dy lokaleve ngjitur njëri me tjetrin.

Bashkë me aktorin e teatrit Kombëtar N. Liçaj, regjisori Rama do të ngjisë në skenë edhe aktorët Muharrem Hoxha e Roland Koça, si dhe Adelina Muça, Era Çaushi dhe Ervin Doko.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/