16 korrik 2015 – Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pjesë nga monumenti i dy gladiatorëve, që u instaluan një muaj më parë në lulishten e shëtitores “Taulantia”.

Keqbërësit kanë thyer shpatën prej betoni të njërit prej luftëtarëve dhe më pas kanë tentuar të këpusin edhe telajon prej hekuri.

Ngjarja e shëmtuar është vënë re 2-3 ditët e fundit nga kalimtarët, por ende nuk dihet nëse kanë nisur hetimet për zbulimin e autorëve.

Ky nuk është rasti i parë i dhunimit të veprave të artit.Tre vjet më parë njerëz të papërgjegjshëm morën në mënyrë të përsëritur “syzet e Xhon Lenonit”, monumenti i të cilit u vendos në lulishten pranë hyrjes së portit detar.

Pak më tej, pranë Torrës mesjetare u grabit busti prej bronxi i vendosur në një gur, në nderim të skulptorit Sabri Tuçi.

Po ashtu janë dëmtuar disa herë gërmat e diçiturave të monumenteve të vendosura në vende historike.

Vepra monumentale e gladiatorëve, punuar 40 vjet më parë nga skulptori Janaq Paço u vendos në lulishten bregdetare me iniciativë të familjarëve dhe bashkisë së qytetit. Dhunimi i saj është një kujtesë më shumë për kujdesin që duhet të tregojnë institucionet vendore për ruajtjen e monumenteve dhe parandalimin e vandalizmave ndaj tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/