14 korrik 2015 – Vetëm pak ditë na ndajnë nga spektakli “Miss & Mrs Turizmi 2015”, event kulturor ky i mbërritur tashmë në 10-vjetorin e tij.

Janë 32 vajza dhe djem nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që kanë nisur përgatitjet e para për spektaklin që kurorëzon projektin e “ditëve të turizmit”, një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Durrësit, që ka si qëllim rijetësimin e trashëgimisë sonë kulturore, promovimin e këtyre vlerave dhe tërheqjen e të rinjve për njohjen e kulturës dhe traditës sonë kombëtare.

E gjithë koreografia e spektaklit, që përfshin sfilatat në skenë të vajzave dhe djemve konkurrentë, është përgatitur me mjaft mjeshtëri nga  koreografi i njohur durrsak Arjan Plaku. Drejtuesja e këtij projekti dhe producentja e spektaklit Myzejen Konduri, shprehet se të ftuarit e shumtë, grupi i valleve dhe këngëtarë nga më të njohurit si Eli Fara, Anxhela Peristeri, Denis Xherahu, Sardi Struga, Aldo Bardhi e të tjerë do t’i japin  këtij eventi trajtën e një spektakli-show.

Zonja Konduri shprehet më tej se veshjet e veçanta tradicionale dhe të stilizuara të vajzave dhe djemve konkurrentë, si dhe sfilatat nën ritmin e muzikës popullore dhe asaj të përpunuar janë dhe risia e këtij spektakli që do të zhvillohet në ambientet e brendeshme të ‘Albanian College’ më 24 korrik  në orën 21:00.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/