13 korrik 2015 – Stendat e librarive të qytetit pasurohen me tituj të rinj librash nga letërsia shqiptare dhe ajo e huaj gjithashtu.
Stina e verës shoqërohet me rritje të interesit për librin, jo vetëm nga lexuesit e rregullt të tij, por dhe nga ata të cilët kanë preferuar të kalojnë pushimet në Durrës, dhe për një pjesë të mirë të tyre pushimet kalohen më këndshëm nën shoqërinë e një miku, siç është libri.
Sipas librashitësve të qytetit ndër librat më të kërkuar rezultojnë ato të letërsisë së huaj.
“A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut”? – Është një roman nga shkrimtari dhe romancieri austriak Daniel Glattauer, përshtatur në shqip nga Rezarta Reimann. Një botim i vitit 2015 me 10 kapituj dhe 256 faqe.
“Si të jesh Parisiane kudo që jeton” – Një tjetër botim i ri në libraritë tona, me katër autorë mjaft të njohur në botën e letërsisë, publicitetit, gazetarisë dhe produksionit siç janë Sophie Mas, Audrey Diwan, Caroline De Maigret, dhe Anne Berest, një botim që vjen në shqip nga Margarita Sulaj.
Është një libër mjaft tërheqës dhe zbavitës që sjell jetën, dashurinë, stilin e jetesës, mënyrën se si vishen vendasit, argëtohen dhe si përpiqen të jenë vetvetja shoqëruar gjithashtu me foto të shumta.
Gjatë kësaj stine verore, lexuesit e shumtë të librit do të kenë mundësi të njihen në ditët e ardhshme me të tjerë tituj të rinj librash.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/